
Shtyrja e kampionatit si pasojë e ngjarjeve tragjike me tërmetin e 26 nëntorit, ka bërë që edhe ekipet të ulin disi tonin e stërvitjes. Gjithçka duket në normalitet, me Laçin që vijon përgatitjet intensive në kuadër të javës së 14 të Superligës shqiptare të futbollit. Përballë kurbinasve, në Laç vizitor do të jëtë ekipi i Flamurtarit që renditet i fundit në klasifikim. Ndeshja luhet të diel në 13:30.
Nën urdhrat e Armando Cungut, kurbinasit janë përgatitur edhe sot, paçka se moti i ftohtë dhe me shi nuk është aleat i tyre. Laçi u ndal në javën e fundit, teksa kryesuesit e Partizanit ia dolën t'i merrnin pikë të plota. Pas uljes në stol të shkodranit Cungu, Laçi ka një tjetër fizionomi loje, duke qenë pretendënte kryesore për një vend në Europë. Gjashte pikë nga kryesuesit dhe vetëm dy nga Kukësi i vendit të dytë, fitorja në shtëpi përballë Flamurtarit shihet si detyrim për kurbinasit që renditen të pestët.