
Emri i tij ende përflitet në legjendat e futbollit shqiptar. Sigurisht, është Indrit Fortuzi, ai i cili shkëlqeu me Tiranën e viteve 2000 në një nga epokat më të arta të klubit bardheblu.
Fitoi nofkën ‘Zogu’ dhe si i tillë fluturonte mes kundërshtarëve duke shënuar gola ‘pa hesapë’ për kryeqytetasit. Sulmues të tillë i kanë munguar kampionatit që kur u tërhoq nga futbolli. Jeta private mbetet një dritare tjetër, por emri i Fortuzit të ndjell gjithnjë emocion kur flitet për futbollin e bukur.
Pas 9 vitesh pa prekur tokë shqiptare, ‘Zogu’ rikthehet në ‘fole’. Indrit Fortuzi është kthyer më në fund në Shqipëri teksa është gazetari Altin Sulçe që ka dhënë këtë lajm të bukur me një foto në faqen e tij në Facebook.
“Me shokun tim Indrit Fortuzi në Tiranë”, shkruan Sulçe e sigurisht komentet ‘vërshojnë’ për rikthimin e ‘Zogut’.
