Një sherr i rëndë është regjistruar pasditen e sotme në stadiumin “Elbasan Arena”, pak para nisjes së sfidës mes Elbasanit dhe Tiranës, e vlefshme për javën e 36-të të “Abissnet Superiore”.
Siç shihet edhe në videot e siguruara ekskluzivisht nga Newsport dhe Neësbomb.al, situata ka degraduar në dhunë masive mes tifozëve të dy skuadrave rivale. Në pamje dallohen tifozë që kanë rrëmbyer karrige, shkopa dhe sende të forta, ndërsa disa prej tyre kanë hequr edhe rripat për të goditur kundërshtarët.
Përplasja ka nisur menjëherë sapo tifozët janë futur në stadium. Mbështetësit verdheblu janë afruar drejt sektorit ku ndodheshin tifozët bardheblu, duke shkaktuar tensione dhe kaos në tribuna. Situata më pas ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa në stadium janë hedhur edhe flakadanë, mes grushteve dhe akteve të shumta të dhunës.
Ka qenë ndërhyrja e policisë ajo e cila ka bërë të mundur neutralizimin e situatës dhe shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.
Neësbomb.al ka kontaktuar me Policinë e Shtetit lidhur me këtë ngjarje, e cila ka bërë me dije se efektivët kanë ndërhyrë menjëherë për të qetësuar situatën, pas përplasjes fizike mes tifozëve të dy skuadrave.
Sfida mes Elbasanit dhe Tiranës konsiderohej mjaft delikate edhe për shkak të rëndësisë në renditje. Tirana synon të shmangë zonën “play out”, ndërsa Elbasani kërkon ta mbyllë kampionatin në krye pas 36 javësh. Megjithatë, vëmendja para nisjes së ndeshjes është zhvendosur tërësisht te episodet e dhunës që kanë njollosur atmosferën sportive në “Elbasan Arena”.
View this post on Instagram
