
Ka ardhur vendimi i Komisionit të Apelit pranë FSHF-së. Komisioni dëgjoi përfaqësuesit e Tiranës dhe vendosi për pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit prej 5 ndeshjesh.
Ky vendim vjen para sfidës më vendimtare të sezonit për sportdashësit, derbit Tirana-Partizani. Edhe pse vendimarrja e Federatës është një lajm që ka të bëjë me ‘Bardheblutë’, sytë e tifozëve të Partizanit janë po aty të fokusuar.
Një evenimet si derbi i kryeqytetit është një takim që mezi pritet edhe nga të kuqtë. Ata buzëqeshin kur dëgjojnë se mund të jenë të pranishëm për të parë një nga ndeshjet më të bukura të futbollit shqiptar.
Numri i lejuar i tifozerisë mike është i përcaktuar në 5%, një shifër e ulët por që mjafton për të ndezur atmosferën në stadium.