Skuadra e Egnatias u rikthye te fitorja në javën e 25-të të Superiores, duke mposhtur 1 – 0 Dinamon në Rrogozhinë.
Qendërmbrojtësi Arbenit Xhemajli u përzgjodh “Lojtari i Ndeshjes”, ndërsa në prononcimin për media, tregoi se do të largohet nga kampionët e Superiores, ndonëse është përpjekur ta mbaj sekret.
“Dikush shikon trofetë individual, unë shikoj kolektivët. Jam më shumë i kënaqur që e kam mbajtur zero mbrapa se këtë trofe, por e marr me gjithë zemër dhe faleminderit për këtë çmim.
Disktuimet për largimin? Unë vetë personalisht, me ndeshjet e mia individuale nuk isha shumë i kënaqur. Sado mundohem të mos ndikojë sepse unë jam në fushë dhe do jap shpirtin për Egnatian, 100%, dhe para ndeshjes me Vorën dhe kjo, nuk isha shumë i kënaqur me performancën time. Këto dy ndeshjet e fundit, besoj kam ardhur te niveli im.
Kanë ndikuar. Edhe ju e keni parë, para këtyre dy ndeshjeve nuk ka qenë performanca ime si në fillim. Çdo thashethem për transferim në lidhje me disa klube, ndikon te lojtari pavarësisht se me eksperiencë.
Dëgjon gjithmonë fjalë që do ikësh, nga lojtarë, drejtues, stafi. Je afër, por prapë nuk ndodh, kështu ndikon kjo pjesë. Janë dhe kundërshtarët, na shohin, e dinë që jam qendërmbrojtës më modern, jo shumë agresiv.
Trajnerët kundërshtarë që thonë rrini një kundër një me Xhemajlin, që mos ta luajë topin dhe ma bëjnë këtë pjesë të vështirë që të marr pjesë në lojën tonë.
Besoj se mund ta them që nuk është mbyllur. Jam munduar që ta mbaj sa më shumë sekret. Edhe pse këto dy ndeshjet e fundit jam duke ardhur avash avash nga niveli im që kam qenë. Nuk është mbyllur akoma, ka mundësi që do të ketë akoma një lëvizje”, u shpreh Xhemajli.
Për të kuptuar vlerën dhe impaktitn e lojtarit në fjalë, mjafton të përmendim kartonin e tij sipas “Transfermarkt”, 600 mijë euro, më i shtrenjti në ekip së bashku me portierin Mario Dajsinani. Te Egnatia, është kthyer në “traditë” largimi i protagonistëve.
