
Trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi foli në konferencën zyrtare për shtyp në prag të sfidës ndaj Torpedo Kutaisi, e vlefshme për raundin e parë kualifikues në Conference League. Bardheblutë e luajën të parën në Gjeorgji, aty ku kanë patur bilanc pozitiv në duelet europiane. Synohet të vazhdohet seria e fitoreve dhe Shkëmbi thekson se skuadra e tij është gati.
“E kemi ndjekur kundërshtarin. Veç skuadrës së mirë që Torpedo ka, ka bërë edhe afrime cilësore në merkaton e verës ashtu si dhe ne. Kemi ndryshuar shumë lojtarë, por kemi besim se kemi bërë diçka të mirë.
Do të luajmë ndaj një kundërshtari cilësor, shumë të fortë. Në futboll gjithmonë ka shpresë dhe ne do të bëjmë maksimumin. Jemi munduar t’i njohim sa më mirë të jetë e mundur për të përgatitur ndeshjen taktikisht. Në futboll është e rëndësishme të japësh maksimumin, të kesh dëshirë, të vraposh dhe jam i bindur që lojtarët e mi do ta bëjnë këtë. Duhet të bëjmë maksimumin, të luftojmë në çdo duel.
Më vjen keq për Ismajlin, për atë që i ndodhi. Është diçka e rëndë që futbolli të vuajë pjesën politike dhe ai të kthehet në shtëpi. Është e rëndë që një skuadër, një futbollist të kthehet në shtëpi duke patur parasysh që të gjithë dokumentat i ka në rregull. Sa i përket pjesës sportive, patjetër që na ka prishur punë. Ismajli është afruar vonë, por ka bërë mirë në stërvitje dhe do të ishte një lojtar plus në këtë ndeshje”, tha Shkëmbi.