
Tirana – Dinamo është supersfida e javës së 5-të të kampionatit, takim që do të luhet ditën e sotme në orën 16:00 në “Selman Stërmasi”.
Derbi i gjen skuadrat në një moment jo shumë të mirë në kampionat, teksa kanë zhgënjyer në këtë fillim sezoni. Ekipi i Ilir Dajës ka 2 pikë më shumë se rivalët e tyre, por sërish janë shumë larg pritshmërive.
Dueli mes tyre do të jetë mjaft delikat dhe i rëndësishëm, me Dajën dhe Roberto Bordin që do të synojnë të “shkelmojnë” momentin “JO” në të cilin ndodhen.
Historia e përballjeve direkte mes tyre tregon që Tirana është dominuese. Në 10 duelet e fundit mes tyre, bardheblutë kanë fituar në 5 raste, ndërsa 3 janë fituar nga “Blutë”. Nga ana tjetër 2 përballje kanë përfunduar në barazim.
Statistika këto që nga historia e përballjeve të së kaluarës i japin fitoren në “tavolinë” bardhebluve, por gjithsesi ditën e sotme do të jetë fusha e lojës ajo që do të përcaktojë se në cilën anë do të shkojnë stastistikat këtë herë.