Edhe pse është mbrojtës, kapiteni i Teutës Blerim Kotobelli, demostroi “arsenalin” në ekzekutimin “mjeshtëror” të goditjeve të dënimit. 33-vjeçari shënoi gol “alla Messi” në minutën e 57-të, duke i dhënë fitoren Teutës kundër Bylisit. Festimi ishte emotiv, pasi i ngriti sytë nga qielli, duke ia dedikuar babait të tij, i cili humbi jetën para disa ditësh:
“Gjeta forcë sepse babai im nuk ka lënë ndeshje brenda në Durrës pa më ndjekur, ishte ai forca që vendosa të luaj. I kërkova trajnerit që do të vij të luaj. Me këtë rast dua të falënderoj presidentin, trajnerin, stafin e tij dhe lojtarët për mbështetjen në këtë moment të vështirë. Këtë gol dua t’ia dedikoj babait tim.
Vinim mos gaboj nga 10 ndeshje pa fitore, ishim në vështirësi të gjithë, por nuk e kemi merituar të mos fitonim. Kemi bërë shumë ndeshje të mira, por ky është futbolli, është i pamëshirshëm, mendoj se kjo ndeshje na dha qetësinë për të pasur vazhdimësi.
Unë kam besim te kjo skuadër, kam pasur gjithmonë. Ky grup e ka treguar me lojë, por ndoshta me rezultate nuk e ka treguar, mendoj se ky grup është më i fortë se ai i vitit që kaloi.
Unë preferoj tani për vetë faktin e moshës, që të luaj qendërmbrojtës. Ndoshta mund të jap edhe si mbrojtës i majtë, por ndjehem më mirë si qendërmbrojtës.
Ndoshta e teproj pak me topin e gjatë, disa i përdorim në stërvitje me lëvizjen e Boçit që tenton pas shpine, por disa janë nga ana ime. Pastaj sot harxhuam edhe shumë energji. Goli për babain? Besoj se atë gol ma ka dhënë ai sot, nuk kam çfarë them më shumë se jam i prekur. Ju falënderoj të gjithëve”.
