
Ditën e nesërme nis edicioni i 87-të i kampionatit më të rëndësishëm të futbollit shqiptar, “Abissnet Superiore”. Emocionet për statin e kampionatit sa vijnë e shtohen dhe tashmë të gjithë tifozët mezi kanë pritur të shikojnë ekipin e tyre sërish në fushë.
Sezoni i ri hapet me përballjen mes dy skuadrave finaliste të “Final Four”-it të vitit të kaluar, duke sjellë menjëherë emocion dhe rivalitet. Rikthimi i Flamurtarit pas 5 vitesh mungesë, i shton akoma më shumë shijeshi dhe rivalitet elitës, teksa në këtë sezon do të ketë edhe një debutues.
Vora do të ketë mundësinë të luajë mes më të mirëve në këtë sezon, duke shkruar historinë e klubit, pasi për ta është hera e parë që do të luajnë në Superiore. Ndeshje shumë interesante dhe mjaft delikate janë në program.
Të gjithë tifozët të cilët nuk do të mund të shikojnë ekipin e tyre nga shkallët e stadiumit, mund të stacionohen para TV-së. Kjo pasi si sezonin e kaluar edhe në sezonin e ri të gjitha ndeshjet e Superiores do të transmetohen LIVE në RTSH dhe kanalet e dedikuara për Superioren.