
Trajneri i Teutës, Edi Martini foli pas fitores me Dinamon. Tekniku i durrsakëve u shpreh se nëse do të ishte trajner që në fillim të sezonit, Teuta do të ishte 100% në Final Four.
“Nuk më ngushëllon fare rekordi im, mendonim të kapnim Europën. Është viti më i pafat i imi te Teuta. Kemi humbur disa ndeshje pa fat, penallti, gola të anulluar me VAR, mund të ishim në Europë sot. Përgëzoj djemtë pasi kanë lënë gjithçka në fushën e lojës.
Nëse do ta merja unë në fillim, 100% i sigurt që nuk na nxirrnin nga 4-shja. Lojtarë si Gjini do të vinin që në fillim. Mjafton të jesh i mençur në merkato e jo vetëm të shpenzosh 1.5 milionë euro edhe pastaj mbetesh pa Europë.
Teuta ka fituar lojtarë shumë të mirë. Shpresoj që ata të shiten nëpër Europë për të mirën e tyre. Me pak kujdes mund të jemi në Kupat e Europës vitin tjetër.
Kush e fiton titullin? Kam qejf ta fitojë Vllaznia, por nuk dihet. Shorti mund ta vërë me Partizani apo Egnatian. E vështirë pasi ka edhe disfavor barazimin. Kampion mund të dalë kushdo pasi janë ndeshje teke. Ai që është mësuar të fitojë kampionate do ta ketë më të lehtë. Shoh baraspeshë, tifozëria do të luajë rol kryesor”, tha Martini.