Java e 25-të e “Abissnet Superiore” prodhoi spektakël, emocione dhe surpriza, teksa gara për kreun, për vendet e Final Four dhe për mbijetesën bëhet gjithnjë e më e fortë.
Në supersfidën e javës, Egnatia mposhti Dinamo Cityn 1-0 dhe ngushton diferencën me vetëm dy pikë nga vendi i parë. Skuadra rrogozhinase vazhdon presionin ndaj kryesuesve dhe mbetet një nga pretendentet kryesore për titullin.
Tri pikë me peshë siguroi edhe AF Elbasani, që fitoi 2-1 ndaj Vorës dhe afrohet ndjeshëm me kreun, tashmë vetëm tri pikë larg vendit të parë. Një sukses që rrit besimin dhe e mban skuadrën plotësisht në garë për objektivat sezonalë.
Surpriza e javës erdhi në Ballsh, ku Bylisi mundi 2-1 kryesuesit e Vllaznisë, duke i dhënë fund serisë prej shtatë fitoresh radhazi të shkodranëve në kampionat.
Në kryeqytet, Teuta triumfoi 1-0 ndaj Tiranës, një fitore që e çon skuadrën durrsake në kuotën e 33 pikëve dhe e afron me zonën e skuadrave pretendente.
Java u mbyll me suksesin 2-1 të Partizanit ndaj Flamurtarit, dopieta e Sidibes, rezultat që barazon të kuqtë me Dinamo Cityn në kuotën e 36 pikëve dhe e bën edhe më të hapur garën për "Final Four".
