Superiorja ditën e sotme vjen me takime mjaft të rëndësishme, ku në lojë është mbijetesa dhe “Final – Four”. Kështu 3 takime do të marrin vëmendjen e tifozëve.
Në orën 14:00 do të luhet përballja mes Bylisit dhe Laçit, sfidë që zhvillohet në “Adush Muça”. Si ballshiotët ashtu edhe kurbinasit ndodhen në zonën e mbijetesës, teksa vetëm 1 pikë i ndan në klasifikim. Dueli mes tyre është një sfidë direkte për t’iu larguar fundit të klasifikimit.
Ndërkohë në orën 18:00 do të jetë radha e Elbasanit dhe Dinamos për t’u përballur mes tyre në “Elbasan Arena”. Një duel mjaft spektakolar pritet mes dy skuadrave që kanë si qëllim kryesorë renditjen në “Top-4”.
Paralelisht me këtë takim do të luhet edhe përballja mes Partizanit dhe Teutës. Duel ky që do të zhvillohet në “Arenën e Demave”. Kryeqytetasit vijnë si vendi i dytë në kampionatit në këtë përballje dhe në shtëpi tentojnë një tjetër fitore për të rimarrë vendin e parë në klasifikim, ndërsa durrsakët tentojnë 3 pikët për të kapur “Final – Four”.