
Vllaznia – Tirana është kryesfida e javës së dytë të Superiores. Ky takim merr jetë nesër në orën 20:00.
Para ndeshjes është prononcuar trajneri i Thomas Brdaric. Timonieri i Vllaznisë preku disa tema, teksa zbuloi se nuk do luajnë në mbrojtje si me Partizanin.
“E dimë çfarë ndeshje kemi nesër. Jemi të përgatitur për ndeshjen që do të luhet nesër. Atmosfera në ekip pas fitores së fundit është shumë e mirë. Nuk duhet të jemi të kënaqur për rezultatin ndaj Partizanit, por duhet të vazhdojmë për të marrë pikë ndaj Tiranës. Duhet të sakrifikojmë veten tonë, të bëjmë një lojë mjaft të mirë për të marrë pikë kundër Tiranës.
Ishte një periudhë e shkurtër rikuperimi, nuk kishim kohë të punojmë me lojtarë si Kahrimanovic apo Gruda. Shpresojmë që Krymi të arrijë të marrë disa minuta. Tifozët do të na japin një shtysë për të fituar ndeshjen. Kundër Tiranës kemi një plan ndeshje komplet të kundërt, pasi me Partizanin ishim më të tërhequr në mbrojtje.
Gjithashtu është një fushë komplet ndryshe, pasi në Tiranë ishte një fushë sintetike. Askush më shumë se ekipi nuk dëshiron fitoren ndaj Tiranës, për vetë rivalitetin mes dy qyteteve dhe ne do të bëjmë të pamundurën për t’i dhënë një tjetër dhuratë tifozave. Siç e kam thënë më përpara unë e ndjej veten shkodran. Ndihem shumë mirë dhe më pëlqen atmosfera këtu.
Po punoj fort për ekipin, po mundohemi të implementojmë lojtarë të ri, siç kemi bërë me Dodajn dhe Alivodën. Ne fituam ndaj Partizanit, por duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të rrimë me këmbë në tokë. Tirana është një ekip i fortë dhe vjen për të marrë pikë, por ne duhet t’i kryejmë detyrat tona dhe të fitojmë", u shpreh Brdaric.