Bylisi mposhti në një ndeshje mjaft të luftuar skuadrën e Partizanit. Në “Adush Muça” ballshiotët triumfuan 2-1 ndaj kryeqytetasve dhe këtyre të fundit u shkaktojnë humbjen e parë pas 15 ndeshjesh skuadrës së udhëhequr nga Aleksandar Veselinovic.
Si për ironi të fatit, “Demat” mposhten në sfidën ku serbi ishte i pezulluar dhe këtë përballje e ndiqte nga tribuna. Por gjithsesi kjo pak rëndësi ka, pasi “djemtë” e Nevil Dedes ia dolën të sigurojnë një fitore “jetike” ndaj një kundërshtari të vështirë dhe sigurisht që marrin të gjithë meritat.
Në fakt interesante është që Bylisi në këtë sezon iu merr pikë ekieve të mëdha. Pak javë më parë ballshiotët po në “Adush Muça” kanë mposhtur Vllaznisë me shifrat 1-0, duke iu marrë kështu 3 pikë shkodranëve.
Por përveç kësaj 4 pikë “jetike” i kanë marrë edhe Dinamos së Ilir Dajës në 2 sfidat e këtij sezoni. Gjithashtu pikë kanë marrë edhe me Tiranën, duke bërë që ballshiotët të mos i tremben emrave me “peshë” në këtë sezon.
Tashmë pas Dinamos, Tiranës, Vllaznië dhe Partizanit, te Bylisi kërkojnë edhe “kokën” e Skënderbeut. Me këto të fundit do të përballen ditën e dielë në orën 16:30, takim që është i vlefshëm për javën e 18-të të Superiores.