
Skënderbeu dhe Tirana ditën e djeshme zhvilluan mes tyre një ndeshje miqësore. Pavarësisht se quhej e tillë, kjo përballje ishte shumë e luftuar si në fushën e lojës edhe jashtë saj.
Sfida pas 90-të minutave përfundoi 2-2, por në këtë ndeshje nuk flitej për rezultat. Një sherr në minutën e 73-të mes dy lojtarëve bëri që sfida të përfundonte në një “arenë boksi”. Videoja e këtij momenti është publikuar nga media lokale "Korça Boom".
Ndërhyrjet e ashpëra të Mario Rabiu nervozuan Gledi Micin, i cili reagoi ashpër ndaj lojtarit të korçarëve. Dy futbollistët u konfrontuan mes tyre dhe kjo bëri që arbitri t’i nxirrte të dy me kartonë të kuq.
Por nuk u ndal me kaq, pasi përplasjet mes tyre vazhduan. Në momentin që lojtari i Skënderbeut u drejtohet dhomave të zhveshjes, një pjesëtar i stafit të Tiranës u afrua për të sqaruar situatën, por gjithçka u përshkallëzua.
Ofendimet arritën përmasa të pallogaritshme, aq sa të dy pankinat, siç shihet edhe në videon e mëposhtme të publikuar nga mediat lokale, u përfshinë në një sherr masiv. Në këtë situatë u përfshinë edhe tifozët, të cvilët nga shkallët e stadiumit filluan të gjuajnë stola dhe shishe. Sfida u ndërpre për disa minuta dhe ndërhyrja e Bledi Shkëmbit dhe drejtorit sportiv të Skënderbeut,m Aerdi Gjançi bëri që situata të qetësohej, me ndeshjen pastaj që filloi normalisht.