Vllaznia ka fituar me përmbysje në shtëpi përballë Tiranës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 26-të të “Abissnet Superiore”. Klasikja e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, përfundoi 3-1. Pas këtij dueli ka folur trajneri fitues, Edi Martini.
“Kur Tirana kaloi në avantazh? Mu kujtua ndeshja e fundit që kam luajtur me Tiranën po këtu, “dejavu”. Kisha besim absolut, megjithatë komplimente Tiranës, sepse bëri një ndeshje të mirë, sidomos në pjesën e parë. Në pjesën e dytë e gjetëm shpejt golin dhe na dha qetësi, ishim të qartë dhe më kërkues. Edhe pas 2-1 kemi presuar lart, falë edhe tifozëve.
Ishte mbrëmje e mirë. Kemi humbur përqëndrimin në mbrojtje... unë kam një problem me ekipin, sepse komplet kontigjenti sulmues po vijnë në formën që nuk kanë ardhur akoma, në atë më të mirën. Detyra e tyre është të bëjnë golin. Megjithatë, them që po rritemi, jemi në rrugën e duhur, çdo ditë jemi më mirë në çdo aspekt. Humbja e Ballshit, pavarësisht se nuk e meritonim, kjo ishte më e rëndësishme pasi duhej të reagonim. Frikë pak e kisha, pasi ana morale... kishte pak ngërç psikologjik. Morëm 3 pikë, kënaqëm veten dhe tifozët, të mërkurën ndeshja tjetër.
Është e vërtetë që unë e kam kërkuar kështu lojën sot, luanim me të njëjtin formacion si Tirana. Pusi është lojtar që e merr brendësinë e fushës më mirë, kërkuam shumë me të, edhe me Gjinin, por më pak me Bajramin. Ishim thuajse 1v1 në gjithë fushën. Në 20 minutat e para, e lamë krahun e majtë të Tiranës që të vinte pak përpara, shtym edhe Malën sipër që të kishte presion, na rezultoi mirë. E vetmja gjë që kisha frikë është se kemi pasur lojtarë me viroza, temperaturë dhe serume. Pusi te goli? Është një djalë i ri, normalisht që sot bëri një ndeshje të mirë, hiq rastin e golit. Jo vetëm Pusi, por edhe Gjini duhej të ishte më afër. Kur bëjmë gabime, s’mund të kryqëzoj një lojtar. Pusi është djalë i ri, po merr minuta, Gurishta i dëmtuar, Celikovic me temperaturë, 3 ditë pa stërvitje. Pusi bëri mirë, sidomos në pjesën e dytë.
E kishim organizuar diçka të tillë me Yago, pasi doli mirë nga ai krah. Pjesa e dytë, gradualisht jemi 70% në fazën sulmuese, po rriten fizikisht, pasi nuk ka qenë e lehtë. Tani janë edhe direktivat që unë jap, më pëlqen që të jem pak më pragmatist. Të shënojmë, por mos të harrojmë mbrojtjen. Është një mëdyshje që futet edhe te unë, por edhe te ekipi.
Kastrati na doli me bronkit, nuk është stërvitur katër ditë, ka qenë nën efektin e antibiotikëve e desha ta ruaj, ka qenë në Kosovë, ka ardhur vonë, ndaj ishte moszgjedhja e tij. Pas atij gabimi dëgjova tifozët pas pankinës “ndërroje Pusin”. Por një djalë shkodran, i ri, me karakteristika, e mbrojta dhe ma shpërbleu në pjesën e dytë. Jo çdo gabim duhet t’i biem kokës, mendoj se bëri një pjesë të dytë perfekte.
Unë të them të drejtën nuk e di çfarë do të bëjmë në Kupë për fazën e katërt, nuk di ende. Por them të rritemi, të themi faleminderit Zotit që nuk kemi probleme me dëmtimet me këta tifozë që mbushën stadiumin, është një armë shumë e fortë për ne dhe shpresoj që në fund të mos i zhgënjejmë”, tha Martini.
