Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

“Këtë vit kemi më shumë eksperiencë, meritojmë notën 8”, Abilaliaj ‘hap zemrën’: Objektiv kemi titullin, ja pse u shit Maguette

Shkruar nga NEWSPORT
“Këtë vit kemi më shumë eksperiencë,
Arber Abilaliaj

Drejtori sportiv i Partizanit, Arbër Abilaliaj ka folur së fundmi për ecurinë e “Demave”. Në një intervistë të dhënë për News24, Abilaliaj flet për formën aktuale, derbin me Dinamon dhe Maguette Gueye i cili u shit në Spanjë.

21 pikë në 12 javë, sa të kënaqur jeni me ecurinë deri më tani, me çfarë note do e vlerësoni?

Ky Partizan këtë vit është ekip më i konsoliduar, deri diku e ka krijuar profilin e vet. Në përgjithësi mendoj që këtë vit, kemi më shumë eksperiencë për situata të caktuara. Mendoj që nëse do i vendosja një notë, do i vendosja notën 8.

Bëri shumë zhurmë zgjedhja e Veselinovic në krye të ekipit, një bast i fortë emërimi i një tekniku serb, ka pasur kosto, si është bashkëpunimi me të?

Ka qenë një zgjedhje e mirë-menduar, ka qenë profili më interesant që kishim në tavolinë. Duke parë mënyrën e lojës së tij nëpër skuadra ku ka qenë, përshtatej shumë me atë që aplikojmë ne. Mendoj se Veselinovic ka qenë një zgjedhje krejtësisht teknike dhe profesionale, pa u futur në ngjyra nacionaliste. Në fillim ka qenë e vështirë nga opinioni publik të pranohej një zgjedhje e tillë. Kjo zgjedhje ka të bëjë me aftësitë e tij dhe deri më tani, kjo zgjedhje na ka dhënë të drejtë. Partizani gëzon vendin e parë, është një ekip që nuk ka luhatje si le të themi, vjet…

Mund të ishte Daja psh, në atë stol, rivali juaj i radhës, patët kontakte, ishte si opsion për tu rikthyer?

Në momentin që kemi filluar të mendojmë për një gjë të tillë, Daja ka qenë te Ballkani në atë kohë. Profilet që kemi studiuar kanë qenë të huaja. Situata e profesorit në ato momente ka qenë e ndërlikuar, kështu që nuk jemi futur më thellë!

Çfarë derbi (ndaj Dinamos) pret në fundjavë?

Jam i mendimit që dy ekipet do futen në fushë për fitore. Do tentojnë që ta fitojnë deri në fund. Mendoj se do jetë përsëri ndeshje e hapur, dy ekipet do kërkojnë suksesin pasi është fillimi. Ka shumë kohë për llogari, por është një ndeshje që mund të të shërbejë për bonus sa i takon vijimësisë. Do jetë një ndeshje e bukur për t’u parë. Ku ka më mirë se të luash në “Elbasan Arena”?!

Pas Maguette, kush do jetë shitja e radhës e Partizanit? Në verë keni refuzuar disa oferta…

Planifikimet e bëra kanë qenë të përafërta me atë që kemi pritur. Maguette ka qenë një shitje e planifikuar, pavarësisht diferencës që bëri ai në kohën kur luante te ne. Ne duhet të mundohemi edhe të formojmë lojtarë dhe të shesim lojtarë, përveç fitoreve në fushën e blertë. Zhvillimi, financat kanë rëndësi për të patur një klub stabël. Janë 2-3 profile të rëndësishme, që nëse gjithçka shkon mbarë deri në fund të sezonit, janë interesante për tregun. Patjetër që njëri prej tyre mund të largohet në fund të sezonit.

Do ndërhyni në janar, ku mund të përmirësoheni?

Kemi biseduar me trajnerin. Natyrisht Veselinovic nuk ka shumë kohë që është këtu. Do dhe ai kohën e nevojshme për të kuptuar gjithë profilet që ka në përbërjen e vet. Nëse në fund të këtyre ndeshjeve, ai e shikon të nevojshme ndërhyrjen në merkato, ne jemi të hapur. Ne ato kërkimet paraprake i kemi bërë. Mund të bëjmë ndërhyrje në 1 ose 2 pozicione.

E fundit, ka ndryshuar ndonjë objektiv, apo titulli mbetet i padiskutueshëm?

Ne s’kemi dashur të prishim balancat. Në këtë vit të dytë,  vjen një Partizan më i pjekur dhe kualitativ. Ky Partizan ka një fytyrë që qëndron mirë në fushën e lojës. Patjetër që titulli kampion është synim çdo vit. Ne për këtë sezon objektiv të parë futjen në katërshe, pastaj duam t’i shkojmë deri në fund këtij kompeticioni.

 Kush janë rivalët e Partizanit?

Ka mbaruar vetëm një fazë. Në fazën e dytë dhe në fillimin e fazës së 3-të mund të shikojmë më qartë panoramën. Faza e dytë do jetë një indicie, do e shikojmë se kush do mbajë ritmin për të shkuar në Final Four. Këtë vit ka 2 ose 3 ekipe që janë përmirësuar, përshembull Dinamo, Vllaznia është skuadër e konsoliduar. Mendoj që ka humbur shkëlqimin Skënderbeu, atë pozicion mund ta marrë Dinamo. Duhet të kalojë edhe pak kohë për të parë potencialin e vërtetë.

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga