Ish-arbitri i FIFA-s Lorenc Jemini, pjesë e zakonshme në panelin e emisionit “Procesi Sportiv”, Top Channel, ka dhënë versionin e tij në lidhje me vendimet e arbitrit Juxhin Xhaja në sfidën Elbasani – Dinamo, e përfunduar 2 – 0. Po ashtu, Jemini nuk ka lënë në “hije” as ndërhyrjen “horror” të Bledar Lillës kundrejt Usni Ismaili:
“Rasti i parë përkoi me golin e shënuar nga Elbasani. Në këtë rast, Dinamo pretendon për faull. Për mua, është shumë faull i lehtë për t’u dhënë. Penalltia për Elbasanin ishte e saktë. Lojtari i Dinamos bën një veprim që hap bryllin me qëllim.
Ai zgjeron volumin e trupit, pra është penallti e saktë. I gjithë diskutimi ka qenë te rasti i ndërhyrjes së Bledar Lilës kundër Usni Ismaili. Për mendimin tim, ka gabuar jo vetëm arbitri, por të gjithë. Ka gabuar arbitri kryesor, i katërti, asistenti, VAR-i, të gjithë bashkë.
Rasti në fjalë është karton i kuq i padiskutueshëm. Fati i madh i Ismailit që nuk e ka kapur komplet taka, sepse do kishte thyer këmbën më dysh”.
