
Ditën e sotme në Klasiken mes Tiranës dhe Vllaznisë e cila përfundoi 3-4 në favor të shkodranëve u shoqërua edhe me incidente. Madje sfida u ndal përafërsisht për 17 minuta.
Në minutën e 66-të kur Vllaznia shënoi golin e katërt dhe po festonte, tifozët bardheblu hodhën sende të forta në fushë. Madje, sulmuesi i shkodranëve, Esat Mala ngeli i dëmtuar rëndë dhe u shoqërua me ambulancë drejt Spitalit.
Pikërisht për këtë incident të ndodhur gjatë Klasikes, ka reaguar klubi shkodran. Vllaznia thotë se pas këtij incidenti nuk mund të ishte më një ndeshje futbolli dhe sfida duhej të ndërpritej.
REAGIMI I VLLAZNISË:
Klubi i Futbollit Vllaznia shpreh indinjatën e tij më të thellë në lidhje me rastin e paprecedentë të ndodhur ndonjëherë në kampionatin shqiptar, atë gjatë ndeshjes së ditës se sotme, Tirana-Vllaznia e luajtur në stadiumin "Roza Haxhiu" të qytetit të Lushnjës ku jeta dhe shëndeti i futbollistëve të Vllaznisë u rrezikua seriozisht.
Në minutën e 66-të pas shënimit të golit të katërt, kur rezultati ishte fiksuar në shifrat 1-4 në favorin e ekipit tonë, ndërkohë që të gjithë lojtarët e Vllaznisë po festonin brenda fushës së blertë, një lëndë plasëse e fuqishme e hedhur që vinte nga grupi i tifozërisë së Tiranës, shpërtheu fuqishem në fushën e blertë përpara këmbëve të lojtarëve duke i përplasur fuqishëm në tokë disa prej tyre. Fatkeqësisht fusha e blertë ngjante më tepër me një skenë lufte sesa me një ambient sportit.
Për shkak të këtij shpërthimi, njëri nga lojtarët e Vllaznisë, i plagosur më rëndë, u detyrua të lërë fushën e lojës dhe të dergohet menjëherë në Spitalin Rajonal të Lushnjës. Sipas raportit të mjekëve të urgjencës së spitalit rezultoi ka pësuar djegie, humbje të dëgjimit dhe humbje ekuilibrit. Ndërkohë lojtarët e tjerë që mbetën në fushën e lojës pësuan turbullime të dukshme te shikimit dhe të dëgjimit.
Pas këtij momenti të shëmtuar ku u lëndua shëndeti i futbollistëve kuqeblu, nuk mund të kishte më lojë futbolli dhe përtej vendosmërisë së stafit teknik dhe lojtarëve për të respektuar drejtuesit e garës, mbetet i pakuptimtë vendimi i tyre për vazhdimin e ndeshjes!
Klubi i Futbollit Vllaznia kërkon me forcë nga organet e rendit dhe Policisë së Shtetit të marrin sa më parë të gjitha masat për identifikimin dhe ndalimin e autorëve të cilët kanë konsumuar një vepër penale të tipit "akt terrorist" e cila ka rrezikuar jetën dhe shëndetin e lojtarëve në fushë.
Kerkojmë nga Federata Shqiptare e Futbollit të marrë menjëherë të gjitha masat me të ashpra për të dënuar çdo sjellje dhe veprim që nuk ka lidhje me misionin e sportit ndaj të gjithë përgjegjësve.