
Vllaznia – Tirana është një eveniment në futbollin shqiptar. Një ndeshje përtej futbollit ku vihen përballë dy ekipe që përfaqësojnë dy qytete, kultura, histori e identitete të futbollit shqiptar. Jo më kot quhet Klasikja e Shqipërisë.
Vitet e fundit, Vllaznia ka qenë vendimtare për fatet e Tiranës. Në vitin më të errët të historisë bardheblu, humbja me shkodranët në ‘Loro Boriçi’, ndeshjen e fundit të sezonit 2016-2017 zbriti Tiranën për herë të parë nga Kategoria.
Tre sezone më vonë, në edicionin Superiore 2019-2020 ishte Vllaznia ajo që i ‘mundësoi’ fitoren e titullit kampion pas gati një dekade Tiranës teksa ndali Kukësin dhe bardheblutë u shpallën matematikisht kampion.
Historia është e shkruar dhe nuk harrohet, ndaj vijmë në të tashmen dhe si për ironi të fatit, jemi në situata të ngjashme. Tirana dhe Vllaznia përballen në javën e parafundit të kampionatit në stadiumin “Air Albania”. Presioni, si gjithnjë, peshon më shumë në kampin kryeqytetas pasi vendoset direkt fati për Final Four.
Humbja mund të rezultojë fatale pasi një fitore e mundshme e Dinamos apo Skënderbeut do t’i largonte -4 nga vendi i 4-të kur mbetet vetëm 1 ndeshje tjetër në lojë.