Tirana – Vllaznia e zhvilluar ditën e djeshme në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës, u shoqërua dhe me incidente. Rreth minutës së 66-të të takimit kur shkodranët shënuan golin e dytë, tifozët bardheblu nuk kursyen sendet e forta dhe mjetet piroteknike.
Tifozët e Tiranës nisën t’i hidhnin të dyja këto në fushën e lojës, duke lënë të dëmtuar edhe futbollistin e Vllaznisë, Esat Malën. Pikërisht për këtë ngjarje të ndodhur në stadiumin e Lushnjës ka reaguar edhe Policia. Këta të fundit kanë nisur hetimet mbi këtë ngjarje, teksa po procedojnë penalisht 2 shtetas.
Sipas njoftimit të uniformave blu, procedimi po bëhet për dy 19-vjeçarë të cilët kanë hedhur në fushën e lojës mjete piroteknike. Materialet janë dorëzuar në Prokurori për hetime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Lushnjë/Hodhën lëndë piroteknike në stadiumin "Roza Haxhiu", gjatë një ndeshje futbolli, procedohen penalisht 2 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, në përfundim të veprimeve hetimore dhe procedurale, për një rast të hedhjes së lëndëve piroteknike në stadiumin "Roza Haxhiu", gjatë ndeshjes së futbollit “Tirana-Vllaznia”, të zhvilluar ditën e djeshme, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-A. M., 19 vjeç dhe K. Ll., 19 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Nga hedhja e lëndës piroteknike u dëmtua lehtë, një futbollist i ekipit të Vllaznisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive” dhe “Prishja e qetësisë publike”.