Partizani përballet nesër në 20:00 me Skënderbeun. Ndeshja është e vlefshme për javën e dytë të Superiores.
Në cilësinë e trajnerit te "demat" doli në konferencë për shtyp Arbër Abilaliaj. Ky i fundit foli dhe për largimin e Maguette, ndërsa zbuloi se në vazhdim do prezantohet zëvendësuesi i tij.
Gjendja psikologjike dhe fizike e skuadrës përpara takimit me Skënderbeun –
Abilaliaj: Ka qenë një javë në të cilën kryesisht kemi punuar mirë. Fatmirësisht lojtarët gëzojnë gjendje optimale fizike dhe mendoj që jemi gati për të zhvilluar përsëri një ndeshje të madhe , por për të marrë edhe rezultat. Na duhet rezultati duke patur parasysh që ndeshjen e parë nuk e arritëm dot panvarësisht përpjekjeve dhe lojës të mirë të çunave. Shpresoj që bashkë me lojën të vij edhe rezultati i mirë që ne kërkojmë.
Përballja me Skënderbeun –
Abilaliaj: Eshtë një ndeshje e vështirë duke patur parasysh atë që përmendet edhe ju që sezonin e kaluar Skënderbeu ka qenë një kundërshtar i vështirë për ne. Besoj që në momentin që arrijmë të respektojmë detyrat që do të vendosim paraprakisht, nuk kam dyshim që do ta kalojmë me një rezultat të mirë. Eshtë një kundërshtar që të imponon respekt dhe do të bëj të pamundurën për të marrë një rezultat në Tiranë, por për ne është koha për autokritikë dhe për të marrë 3 pikët.
Largimet e Murataj dhe Maguette –
Abilaliaj: Të dy lojtarët që përmendët kanë qenë të planifikuar po themi si largime. Vit pas viti ne kemi patur largime. Sezonin e kaluar kemi patur shumë lojtarë, po ashtu edhe këtë vit organika është e pasur siç e patë edhe në ndeshjen e parë, por edhe në vazhdim. Kemi lojtarë të cilët na kanë bindur jo vetëm për shkak të cilësive por edhe për atë çfarë kanë dhënë në fushën e lojës. Patjetër largimi i një prej mesfushorëve më të mirë të kampionatit si Maguette besoj se mund të ndikojë në mënyrën tonë të lojës. Përsa i përket cilësisë mendoj që kemi lojtarë cilësorë. Ne e kemi evidentuar projektin tonë të radhës, i cili do jetë në atë pozicion kështu që shumë shpejt besoj se do të kemi edhe një afrim tjetër në atë pozicion.
Zërat e merkatos lakojnë të tjerë lojtarë të Partizanit si Rrapaj –
Abilaliaj: Ka patur dhe ka vazhdimisht përgjatë gjithë sesionit të merkatos verore interesim për shumë lojtarë të Partizanit. Jo vetëm Rrapaj dua të përmend se interesim ka patur edhe për Carën, Mba, Bitsouka, Hadroj , lojtarë të cilët çdo vit tërheqin vëmendjen e klubeve jasht vendit. Për momentin nëse do të ketë diçka konkrete patjetër që klubi dhe gjithë administrata i ka marrë masat në këtë drejtim. Ne jemi klub që përpos synimit që kemi për të fituar trofe jemi klub që mundohemi që të promovojmë edhe vlerat më të mira të futbollistëve tanë. Për momentin të gjitha mbeten në aspektin e interesimeve. Edhe pak ditë kanë mbetur, situata është dinamike. Ne do veprojmë vetëm nëse do të kemi oferta konkrete që do të mbërrijnë në klub.
Rivalët e Partizanit për titull këtë sezon –
Abilaliaj: Mendoj që pak a shumë janë ato skuadra që ishin edhe sezonin e kaluar ndoshta me ndonjë humbje të lojtarëve të tyre cilësor siç ndodhi me Egnatian. Siç ndodhi edhe me Partizanin tani. Kemi Tiranën që është riformatuar totalisht ,Vllaznia që ka qenë aty , është një skuadër e fortë. Mendoj që përsëri lufta do të jetë midis këtyre ekipeve që kanë rivalizuar edhe sezonin e kaluar. Besoj që do të jetë një garë e bukur.