
Joel Doukouo është futbollisti më i ri i Teutës. Sulmuesi 22-vjeçar vendosi që të mbyllte aventurën e tij me Elbasanin, për të nisur një të re me ekipin tjetër të Superiores.
Vlen të theksohet se Joel u largua nga Elbasani si pasojë e një problemi me zemrën. Megjithatë, klubi i Teutës ka reaguar pikërisht për këtë “temë të nxehtë”, duke shpjeguar se lojtari ka kaluar të gjitha vizitat mjekësore me sukses.
REAGIMI:
Klubi i Futbollit Teuta dëshiron të informojë opinionin publik në lidhje me transferimin e sulmuesit Lorougnon Joel Doukouo. Futbollisti 22-vjeçar ka kaluar me sukses të gjitha testet mjekësore dhe gëzon shëndet të plotë.
Joel ka pasur më herët një shqetësim në zemër, për të cilin i është nënshtruar me sukses një ndërhyrjeje kirurgjikale. Pas ekzaminimeve të detajuara, mjekët specialistë kanë dhënë garanci të plota se ai mund të ushtrojë aktivitetin sportiv pa asnjë pengesë.
Gjithashtu, Komisioni i Mjekësisë Sportive pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka dhënë dritën jeshile, duke konfirmuar se Joel Doukouo nga Bregu i Fildishtë është plotësisht i aftë për të luajtur futboll në mënyrë të rregullt. Klubi ynë i uron mirëseardhje Lorougnon Joel Doukouo dhe shumë suksese me fanellën blu.