
Partizani ka mbyllur seancat stërvitore të ditës së sotme në shtëpinë e tyre. “Demat” po përgatiten në pragë të sfidës me Elbasanin. Ndeshja do të luhet ditën e diel në orën 17:00 nën praninë e projektorëve.
Stërvitja e ditës së sotme ka pasur ushtrime fizike, taktike dhe ndërlidhëse ndërmjet lojtarëve. Ato janë zhvilluar si gjithmonë pasdite në “Arena e Demave”. “Të kuqtë” janë në vend të parë dhe duan t’a ruajnë atë post me çdo kusht. Nga mbrapa i ndjek Vllaznia me vetëm 1 pikë më pak.
Partizani ka vetëm një humbje këtë sezon në superligën tonë, por transferta elbasanase është një e vështirë me stadiumin plot në përkrahje të vendasve dhe me një Elbasan që nuk njeh humbje në 5 javë. Të dyja skuadrat kanë nga 1 humbje dhe do të kërkojnë të mbajnë këtë shifër të pandryshuar.
Ekipi i kryeqytetit do të mbështetet nga të apasionuarit në këtë ndeshje duke qenë se qyteti i Elbasanit nuk është aq larg si edhe dita e Diel është e favorshme për njerëzit. Pra, pritet që kjo sfidë t’i ketë të dyja tifozeritë të pranishme në numër të konsiderueshëm.

