Kategoria Superiore mbylli javën e 35-të të mërkurë me disa ndeshje që dhuruan emocione pafund. Tirana dhe Vllaznia u ndanë pa gola në Klasike duke i bërë dëm të njëra-tjetrës, bardheblutë parakalohen nga Skënderbeu në Final Four, ndërsa shkodranët zbresin në vendin e tretë.
Partizani përfiton nga 'asisti' i Tiranës duke u ngjitur në vendin e dytë, ndërsa Teuta mposhti pastër Erzenin dhe futet zyrtarisht në garë për vendin e 4-të.
Në këtë panoramë të javës së 35-të, Newsport.al ka përzgjedhur formacionin më të mirë të këtij raundi. 11 lojtarë që shkëlqyen me skuadrat e tyre dhe një vend të rëndësishëm për trajnerin më të mirë i cili drejtoi ekipin e tij drejt suksesit.
Edi Martini shpallet 'Trajneri i Javës' pasi drejtoi Teutën në fitoren më të thellë e më të pastër të këtij raundi, një fitore që i siguroi mbijetesën dhe i futi në garë për një vend në Final Four.
"Lojtari më i Mirë i Javës" është Ermir Rashica i Skënderbeut i cili shkëlqeu përballë Laçit duke i dhënë 1 pikë të artë korçarëve me golin e tij në minutën e fundit. Gol që i dërgon bardhekuqtë një hap larg Final Four. Jo vetëm goli, por gjatë 90 minutave ishte rreziku numër një për kurbinasit duke luajtur sa në krah e sa në qendër.