Kategoria Superiore mbylli javën e 34-të të shtunën me disa ndeshje që sollën disa verdikte finale. Erzeni me barazimin ndaj Kukësit ra zyrtarisht nga kategoria, ndërsa Vllaznia dhe Partizan siguruan pjesëmarrjen në Final Four falë fitoreve minimale ndaj Dinamos e Skënderbeut.
Në këtë panoramë të javës së 34-të, Newsport.al ka përzgjedhur formacionin më të mirë të këtij raundi. 11 lojtarë që shkëlqyen me skuadrat e tyre dhe një vend të rëndësishëm për trajnerin më të mirë i cili drejtoi ekipin e tij drejt suksesit.
-FORMACIONI I JAVËS-
Kristi Qarri (Vllaznia) - Një ndeshje e ekuilibruar ndaj Dinamos e fituar minimalisht nga shkodranët. Gardiani arriti të neutralizonte disa raste dhe solli siguri në zonë në daljet e tij duke i dhënë konfidencë skuadrës të dilte përpara.
Valentino Murataj (Partizani) - Po konsolidohet gjithnjë e më shumë në të djathtë të mbrojtjes. Me Hadrojn që nuk është në gjendje optimale, kapiteni është i gatshëm të luaj aty ku ka nevojë ekipi dhe deri tani ia ka dalë më së miri.
Artan Jazxhi (Teuta) - Ndaj Egnatias kishte një detyrë të vështirë për të markuar Jurguens Montenegron dhe nuk zhgënjeu. Mbi të gjitha shënoi golin e vetëm të ndeshjes dhe mban durrsakët jashtë zonës Play-Out.
Arlind Kurti (Laçi) - Kurbinasit ndoshta nuk janë skuadra e ëndrrave për një talent, por janë skuadra që ata kanë nevojë. Bardhezinjtë janë për t'u marrë shembull në hapsirat që u japin talentëve dhe kjo strategji u ka sjellë fryte. Arlind Kurti është një prej tyre duke fituar gjithnjë e më shumë eksperiencë në elitën shqiptare. Ndaj Tiranës zhvilloi një 90 minutësh pozitiv duke neutralizuar kërcënimet e bardhebluve.
Indrit Prodani (Laçi) - Në një repart defansiv ku 3 nga 4 lojtarë janë në moshë të re, Pordani mban barrën më të madhe të përgjegjësisë falë eksperiencës së tij. Ofron siguri në krahun e majtë dhe shënoi golin e fitores ndaj Tiranës duke mbajtur Laçin në garë për t'i shpëtuar zonës Play-Out.
Plarent Fejzaj (Kukësi) - Një pjesë e parë për t'u harruar e kuksianëve falë edhe rotacionit masiv, por në të dytën skuadra u konsolidua dhe u duk direkt me një marsh tjetër. Mesfushori filloi të dirigjonte lojën dhe ishte nismëtar i barazimit spektakolar duke shënuar golin e parë të Kukësit.
Magguete Gueye (Partizani) - Nga ata lojtarë që nuk ke 'ç'ti bësh', të dominon në çdo aspekt të lojës dhe nuk ka aspak mëshirë për kundërshtarët. I palodhshëm në sulm e mbrojtje duke shkelur në çdo cep të fushës. Një diamant i futbollit shqiptar dhe një 'Bingo' e Partizanit.
Françesko Hasaj (Kukësi) - Njeriu 'Asist'! Talenti i Kukësit nuk është më thjeshtë një talent, por është kthyer në një lojtar me peshë të madhe në skuadër. Ndaj Erzenit kishte shiritin e kapitenit në krah, peshë e rëndë për një 22-vjeçar, dhe ia doli ta nderonte duke dhuruar një paraqitje fantastike me plot 3 asiste. Me meritë absolute, Lojtari i Javës.
Emanullah Blazevic (Erzeni) - Erdhi në janar te shijakasit dhe fillimisht nuk gjeti hapsira. Në javët e fundit iu dhanë minuta dhe ia doli t'i shpërblente duke i përkthyer në gola. Shënoi dopietë ndaj Kukësit dhe bëri një paraqitje presonale të kënaqshme.
Kevin Dodaj (Vllaznia) - Vllaznia ka zbuluar një tjetër talent. Dodaj mund të jetë pak i njohur për elitën shqiptare, por në kampionatin e moshave e njohin më së miri. Emër me potencial të madh në Shqipëri dhe pritet shumë nga ai, jo me kot janë të interesuar Partizani e Tirana. Ndaj Dinamos duhej me çdo kusht fitorja dhe trajneri Brdaric e hodhi në fushë si një mundësi të fundit e në frymën e fundit, Dodaj ia shpërblen me një gol që ngre peshë gjithë stadiumin.
Alfred Mensah (Partizani) - Sa herë futet nga stoli i imponon një ritëm tjetër lojës. Sërish u bë protagonist duke u futur si zëvëndësues dhe shënoi golin e fitores ndaj korçarëve. Gol me vlerë 3 pikë që i dha Partizanit për pak çaste vendin e dytë në renditje.
Trajner: Armando Cungu (Laçi) - Një ndeshje e rënduar psikologjikisht për të dy skuadrat. Laçi - Tirana pati shumë duele brenda duke filluar nga porta e deri te beteja e pankinave. Këtë betejë të fundit e fitoi Cungu i cili solli një Laç dominues në çdo aspekt. Bardheblutë nuk ishin të aftë të bënin lojën e tyre teksa Dajsinani ishte thuajse i parrezikuar. Fitore shumë e rëndësishme që mban kurbinasit në garë për të dalë nga zona Play-Out.