
Kategoria Superiore mbylli javën e 32-të të kampionatit ku kryesfida ishte ajo mes Partizanit dhe Dinamos e cila u mbyll me fitoren e 'Demave'. Fitore tepër jetike morën Tirana dhe Skënderbeu që mposhtën Erzenin e Kukësit, ndërsa barazim u mbyll Teuta - Vllaznia.
Në këtë panoramë të javës së 32-të, Newsport.al ka përzgjedhur formacionin më të mirë të këtij raundi. 11 lojtarë që shkëlqyen me skuadrat e tyre dhe një vend të rëndësishëm për trajnerin më të mirë i cili drejtoi ekipin e tij drejt suksesit.
-FORMACIONI I JAVëS-
Leon Kozi (Tirana) - Gardiani i bardhebluve i dha një dorë skuadrës në fitoren me Erzenin. Ai priti penalltinë e shijakasve që mund të barazonte rezultatin, një moment që rëndoi shumë kundërshtarët.
Abdurrahman Fangaj (Egnatia) - Krahu i djathtë u 'zaptua' nga ai. Me Aleksin që mbulonte pjesën defansive, Fangaj pati më shumë liri të vepronte përpara dhe arriti me sukses të dhuronte një asist në fitoren 2-1 ndaj Laçit.
Eljon Sota & Saliu Sembene (Partizani) - Të mos ishte për atë penallti 'të falur' nga Atanaskoski, Partizani nuk do të rrezikohej asnjëherë nga Dinamo. Kjo falë dyshes së mbrojtjes Sota - Sembene. Fituan çdo duel me sulmuesit kundërshtar dhe falë shtatlartësisë bënë që krosimet e bluve të 'anulloheshin'.
Andrea Gerço (Skënderbeu) - Mbrojtës i djathtë që Gvozdenovic e ka kthyer si Cancelo. Në krahun e majtë ka gjetur një pozitë që e bën me lehtësi. Asistoi në një prej golave dhe bëri një paraqitje të kënaqshme.
Valentino Murataj (Partizani) - Kapiteni në fushë i Partizanit tregoi në derbin me Dinamon se përse e mban shiritin në krah. Dha gjithçka nga vetja dhe në mënyrë brilante i 'vodhi' një karton të kuq kundërshtarit falë eksperiencës së tij. Në mungesë të Hadroj, luajti në të djathtë të mbrojtjes dhe detyrën e kreu me sukses.
Fjoart Jonuzi (Tirana) - Është kthyer në titullar absolut te Tirana dhe po performon gjithnjë e në rritje. Pas disa paraqitjeve të mira, qershia mbi tortë ishte ai supergol që vulosi fitoren 2-0 ndaj Erzenit.
Melih Ibrahimoglu (Egnatia) - Fantastik! Pas një pjese të parë jo të mirë të rrogozhinasve, e dyta ishte komplet e kundërta. Turku shkëlqeu në çdo prekje të topit duke dhuruar klas e duke u kthyer në protagonistin absolut me 1 asist e 1 gol në përmbysjen e rezultatit. Me meritë, Lojtari i Javës.
Yuri Merlim (Skënderbeu) - Brazilian luan si brazilian. Ka cilësi të jashtëzakonshme në organizim dhe filtroi çdo top që i vinte në këmbë. Kreu edhe një asist për një prej golave dhe mbyll një tjetër ndeshje me nivel të lartë loje.
Kristal Abazaj (Tirana) - Ka vendosur të marrë përsipër Tiranën dhe po e bën. Pavarësisht se nuk ka shiritin në krah, në fushë duket si një kapiten i vërtetë duke i qëndruar pranë lojtarëve e duke i udhëzuar ata. Shënoi një tjetër gol që e vendos si të 3-tin më të mirë në listën e golashënuesve.
Ermir Rashica (Skënderbeu) - Një dopietë që hedh 'KO' Kukësin dhe mban korçarët në garë për Final Four. Sulmuesi i talentuar i Shpresave u tregua vrasës para porte duke kthyer në gol dy asiste nga shokët e ekipit. Trajneri dhe tifozët presin shumë nga ai dhe kjo ndeshje tregoi përsë janë gjithë këto pritshmëri.
Trajneri: Orges Shehi (Partizani) - Një ndeshje e dominuar gati në perfeksion. Partizani dukej sikur po stërvitej përballë Dinamos teksa nuk u rrezikua asnjëherë përveç rastit të penalltisë që ishte gabim foshnjërak i Atanaskoskit. Fitore e pastër 2-0, portë e paprekur dhe rikthen skuadrën te 3 pikët.
