Kategoria Superiore mbylli javën e 31-të të kampionatit ku kryesfida ishte ajo mes Egnatias dhe Partizani e cila u mbyll me fitoren e rrogozhinasve. Fitore tepër jetike morën Teuta dhe Laçi që mposhtën Skënderbeun e Vllazninë duke hedhur një hap të sigurtë drejt mbijetesës.
Në këtë panoramë të javës së 31-të, Newsport.al ka përzgjedhur formacionin më të mirë të këtij raundi. 11 lojtarë që shkëlqyen me skuadrat e tyre dhe një vend të rëndësishëm për trajnerin më të mirë i cili drejtoi ekipin e tij drejt suksesit.
-FORMACIONI I JAVËS-
Elton Vata (Teuta) - Gardiani i durrsakëve pati një ndeshje të qetë, por në ato raste kur iu desh nevoja, bëri detyrën duke mbajtur portën e paprekur në fitoren minimale ndaj Skënderbeut.
Albion Marku (Dinamo) - Para - mbrapa, mbrojtje - sulm, markim - goditje, do të ishte edhe majtas - djathtas, por pozicioni nuk ia mundëson këtë. Anësori i djathtë është një motorr që nuk i mbaron nafta te Dinamo. Fantastik edhe kur nuk asiston.
Elmando Gjini (Teuta) - Heroi i golit të vetëm në fitoren e artë ndaj korçarëve. Qendërmbrojtësi i durrsakëve është ndër lojtarët më të fortë në ajër në kampionatin shqiptar. Një rast i erdhi me krosim dhe e kërceu mbi të gjithë duke dërguar topin në rrjetë.
Esin Hakaj (Vllaznia) - Një ditë jo për Vllazninë, por Hakaj ishte i vetmi që pati grintën dhe dëshirën për të ndryshuar diçka. Ishte protagonist kryesor në autogolin e Laçit duke goditur topin drejt lojtarit kurbinas. Veç këtij episodi u shfaq disa herë i rrezikshëm në krahun e tij. Paraqitje solide.
Edison Ndreca (Egnatia) - Duket sikur ka një mushkëri më tepër. Nuk rresht së vrapuari duke 'zaptuar' me 'hipotekë e tapi' krahun e majtë. Një asist fenomenal për Montenegron duke u bërë protagonist në fitoren ndaj Partizanit.
Serxho Ujka (Laçi) - Kapiteni i kurbinasve shkëlqen sërish. Pas disa ndeshjesh jo të mira, rikthehet Ujka i 'vjetër' duke dominuar mesin e fushës. Qershia mbi tortë ishte goli i përmbysjes së madhe ndaj Vllaznisë që i jep 3 pikë të arta Laçit.
Fernando Medeiros (Egnatia) - Magjistar në fushën e lojës. Këmbët e tij prodhojnë vetëm klas. Ai inkursion personal nga porta në portë duke dribluar çdo fanellë të kuqe që i dilte përpara e më pas një asist për golin ndaj Partizanit, është një reklamë që braziliani do ta ketë gjithmonë në 'CV'. Thjeshtë fantastik.
Ledjo Tresa (Laçi) - Një tjetër paraqitje solide e talentit të Laçit që kësaj rradhe u rikthye te goli duke barazuar përkohësisht rezultatin ndaj Vllaznisë. Një kombinim i bukur me Olsi Myrtën e më pas një goditje precize në cepin më të afërt të portës.
Denisson da Silva (Dinamo) - Ashtu si braziliani i Egnatias, edhe ky i Dinamos ofron thuajse të njëjtën për Nëndetësen. Është ai që bën diferencën çdo ndeshje dhe udhëheq blutë me një tjetër gol, i cili ishte perlë për nga mënyra e ndërtimit.
Kristal Abazaj (Tirana) - Sa shumë vuan Tirana, por është Abazaj gjithnjë ai që mban peshën kryesore në sulm. I detyruar të bëjë disa detyra në fushë e duke mos patur alternativa, Kristali jep, me dëshirë apo jo, shumë më shumë se 100% nga vetja. Shënoi golin e vetëm në fitoren jetike ndaj Kukësit dhe mban gjallë shpresën e Tiranës për Final Four.
Jurguens Montenegro (Egnatia) - Sytë ishin të gjitha tek ai, kishte shumë pyetje që duhej t'iu përgjigjej në ndeshjen ndaj Partizanit. Dhe, iu përgjigj në mënyrën më të mirë. Shënoi një dopietë që blindon rrogozhinasit në krye të Superiores. Dy gola plot klas duke nuhatur mjaft mirë topin e duke gjendur hapsirat bosh brenda zone edhe pse në të dyja rastet ishte i vetëm kundër 2-3 kundërshtarëve. Me meritë, Lojtari i Javës.
Trajner: Armando Cungu (Laçi) - Një fitore e artë përballë Vllaznisë së tij. Cungu duhet të linte mënjanë emocionet për të hedhur një hap të madh drejt misionit mbijetesë të Laçit. Të fitosh me përmbysje në 'Loro Boriçi' është më shumë se një arritje. Pjesa e parë me disa probleme, por në të dytën u duk sikur Cungu i kishte dhënë 'ilaçin magjik' lojtarëve që zhvilluan një 45 minutësh thuajse perfekt.