
Esat Malës i ka përfunduar kontrata me fundin e kampionatit. E në një situatë të tillë, ende mes palëve nuk ka një marrëveshje për rinovimin.
Ish-i i Partizanit për të qëndruar në Shkodër sigurisht kërkon kushte më të mira financiare. Gjë e cila nga drejtuesit kuqeblu për momentin nuk shihet e arsyeshme.
Stafi i kuqebluve kërkon që mesfushori të qëndrojë minimalisht edhe për një sezon, por tashmë kjo temë është kthyer në një “çështje”. Kjo marrë shkas edhe nga interesimet e disa klubeve të tjera që janë futur në garë për shërbimet e Malës.
Partizani është njëri prej tyre që synon rikthimin e futbollistit në kryeqytet, ndërsa nga krahu tjetër në Shkodër po bëjnë edhe përpjekjet e fundit për të bindur Malën për të ulur edhe pretendimet e tij ekonomike. Ditët e ardhshme do të jenë vendimtare dhe mbetet të shihet se ku do të jetë destinacioni i radhës për 26-vjeçarin.