
Egnatia do të presë në orën 17:00 skuadrën e Elbasanit për të bërë mes tyre llogaritë e javës së 33-të të Superiores. Duel ky që do të luhet në “Egnatia Arna” dhe për rrogozhinasit është shumë i rëndësishëm për të “blinduar” vendin e parë në tabelën e klasifikimit.
Para kësaj përballjeje ka folur Edlir Tetova. Timonieri i kampionëve ka analuzuar këtë përballje, ndërsa është shpreshur se nuk ka presioni, por duhet vazhdimësi për të mbajtur vendin e parë./ Ndër të tjera bën të ditur se mbrojtja është një nga repartet që në sfidat e fundit e ka shqetësuar më shumë.
“Elbasani? Për nga rëndësia mendoj që është një ndeshje e radhës kundër Elbasanit, i cili ndeshjet e fundit ka bërë mirë. Kanë një ekip të pjekur dhe mendoj se bëjnë një lojë të mirë futbolli. Nuk jam marrë me karakteristika, por goditjet nga distanca të Elbasanit janë diçka që shihen. Mendoj që kemi marrë masat e duhura. Do të ketë ndryshim taktik, sepse kemi edhe mungesa në mbrojtje, ku kemi pasur dëmtime gjatë ndeshjes së Kupës. Do të shohim të rikuperojmë diçka dhe të shohim, sepse koha ka qenë e shkurtër.
Presion? Final 4 është pak më vonë dhe nga unë i pari, deri te lojtarët, jemi fokusuar te ndeshja e radhës ndaj Elbasanit dhe të gjitha energjitë do të jenë aty. Presion nuk ka, por na duhet vazhdimësi. Mendoj se lojtarët e ardhur nga dëmtimi kanë nevojë për minuta. Kështu mund të rrisim performancën e çdo lojtari deri në fund.
Mbrojtja? Mendoj që skuadra ka qenë e mirorganizuar në të dyja fazat, si në mbrojtje, edhe në sulm. Më shqetëson më shumë pjesa e mbrojtjes, sepse nuk kemi pasur një ekuilibër të mirë për shkak të ndryshimit të lojtarëve, jo për fajin e tyre, por për çështje dëmtimesh. Fizionomia e punës është mbajtja e topit në zotërim dhe për këtë mendoj që këto tri vite kanë qenë dominuese dhe çdo gjë do të jetë e bazuar te qarkullimi i topit”, ka përfunduar timonieri kampionëve aktualë.