Vora do të presë Partizanin në shtëpi këtë të shtunë për duelin e javës së 28-të të Abissnet Superiore. Vorakët vijnë në këtë përballje pas 3 humbjeve radhazi dhe do tentojë të rikthehet tek rezultati pozitiv përballë të kuqve, të cilët janë skuadra më në formë e momentit.
Të ndodhur në vendin e 8-të, në zonën e play-out me 26 pikë në total, të zotët e shtëpisë e kanë të qartë se momenti i kthesës duhet të vijë që në këtë sfidë, pasi Bylis ndodhet vetëm një pikë larg dhe skuadra e Arjan Bellait nuk mund t’i tolerojë më pikë të humbura.
Lidhur me këtë sfidë të rëndësishme, ka folur ekskluzivisht për Newsport mesfushori Irgi Kasalla, i cili është i vetëdijshëm që skuadrën e tij e pret një përballje e fortë dhe nuk mund të bëjnë nënvlerësime.
Irgi, këtë të shtunë prisni Partizanin në shtëpi, ekipi i momentit në Superiore. Si e keni përgatitur këtë përballje?
Këtë ndeshje jemi të vetëdijshëm që është një ndeshje e fortë. Ekipi që tregon më shumë dëshirë dhe tregohet më kompakt do të triumfojë.
Skuadra juaj ndodhet në vendin e 8. A mund të vijë kthesa pikërisht përballë skuadrës me të cilën keni marrë një fitore dhe një barazim në dy ndeshjet e fundit?
Partizani nuk është më ai i ndeshjeve të kaluara. Është bërë një ekip shumë i organizuar, por ne do të japim maksimumin që të dalim me 3 pikë.
Momentalisht, pozitat në të cilat ndodhet Vora bëjnë që mbijetesa të konsiderohet një objektiv për t’u arritur. A mund t’ia dilni të mbeteni në Superiore edhe sezonin e ardhshëm?
Është një garë e hapur, por Vora në fund do ia arrijë të sigurojë objektivin.
Mes skuadrave me të cilat do të përballeni, janë dhe Bylis, Flamurtari dhe Tirana, “rivalët” tuaj të drejtpërdrejtë për mbijetesën. Mund të vijë “bileta” e qëndrimit në kampionat përmes tyre?
Mendoj se në ndeshjet direkte me rivalët do të vendoset se kush do t’ia dalë në fund.
Jeni i vetmi futbollist i Vorës akoma në garë për Këpucën e Artë, duke u renditur në top 5 golashënuesit e këtij edicioni. Besoni se mund të merrni një pozicion më të mirë në ndeshjet e fundit?
“Detyra ime është që të shënoj dhe të jap pasime për shokët e ekipit sa më shumë. Mendoj se do të bëj mirë në ndeshjet në vijim”. /Ermal SPAHIU/
