Vetëm 1 ditë larg nga mbyllja e merkatos së verës dhe Tirana ka bërë goditjen e fundit të këtij sesioni. Bardheblutë e nisën merkaton shumë herët duke konsoliduar menjëherë skuadrën për fazën përgatitore dhe ndeshjet europiane.
Por, një sy mbahej gjithmonë nga tregu për mundësitë që nuk kalohen pa u shqyrtyar. I tillë ishte edhe rasti i Vesel Limajt i cili pas 2 sezonesh rikthehet të veshë fanellën bardheblu me të cilën fitoi titullin kampion dhe Superkupën e Shqipërisë.
Mesfushori kishte dalë i lirë në merkato dhe kryeqytetasit kishin nisur bisedimet prej ditësh. Por, Newsport.al mëson se gjuhae përbashkët mes klubit dhe lojtarit është gjetur dhe palët do të finalizojnë marrëveshjen ditën e sotme.
27-vjeçari do të hedhë firmën mbi kontratë e do të federohet ditën e sotme për t’u vënë më pas nën urdhërat e trajnerit Bledi Shkëmbi për ndeshjen e rradhës. Limaj me Tiranën numëron 58 ndeshje, 10 gola e 3 asiste.
Një problem për Limajn është se ai ka vetëm pashaportë gjermane e do të konsiderohet si lojtar i huaj në formacion, ndërkohë që bardheblutë kanë plot 6 të tjerë të huaj, ndërsa në formacion lejohen vetëm 5 të tillë. Një hall që duhet menaxhuar nga trajneri Shkëmbi.