
Elbasani do të presë në shtëpi Partizanin këtë të shtunë për të luajtur supersfidën e vlefshme për javën e 27-të të Superiores. Ndeshja që do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, do të startojë në orën 17:00.
Në prag të këtij dueli delikat, ka folur qendërmbrojtësi verdheblu, Sigitas Olberkis. Në një intervistë të dhënë për “Newsport.al”, futbollisti lituanez ka treguar arsyet e transferimit të tij te Elbasani dhe ofertat e tjera që kishte për veç Shqipërisë.
Ndër të tjera, Olberkis ka folur pikërisht për ndeshjen kundër Partizanit, duke thënë se për ekipin e Elbasanit nuk ka rëndësi kundërshtari që kanë përballë, pasi në fushë futen vetëm për të fituar. Gjithashtu, lituanezi flet edhe për qytetin e Elbasanit, marrëdhëniet me shokët e ekipit dhe objektivat e tij personale.
Nuk ka shumë që jeni transferuar tek Elbasani, jeni ambientuar si duhet me ekipin e ri?
Së pari faleminderit për këtë intervistë. Sapo u transferova në Shqipëri, e kuptova që nuk ishte e lehtë. Kjo pasi shumë gjëra janë të ndryshme nga prej nga jam unë, kështu që më duhej kohë, por shokët e shkuadrës ma lehtësuan dhe më shpjeguan disa gjëra. Pra, kam një falenderim të madh për ta! Tani ndihem më mirë dita-ditës. Shpresoj që të vazhdojë kështu.
Çfarë ju bindi që t’i bashkoheshit Elbasanit?
Kisha pak opsione, ishte periudhë e ngarkuar për mua pas sezonit të fundit. Fola me disa ekipe nga Azia dhe Evropa dhe sapo pashë ofertën e Elbasanit, e kontroolova në internet, fola me disa njerëz dhe vendosa të mos pres më. Mendova se ky do të ishte një hap i mirë për të ecur më tej në karrierën time. Në Lituani themi se është trampolinë e mirë. Liga është e mirë, skuadrat janë konkurruese, tifozët elbasanas janë të pasionuar dhe njerëzit jetojnë 24/7 me futbollin. Kjo është ajo që më pëlqen.
Tashmë jeni kthyer në titullar absolut, si mendoni se e keni fituar besimin e trajnerit?
Duke qenë se detyra e të gjithë lojtarëve të ekipin tonë është të nxjerrin maksimumin në stërvitje dhe ndeshje, unë u përpoqa të bëja diçka të tillë. Kjo ndikoi pozitivisht tek trajneri. Këtë pyetje duhet t’ia bëjmë trajnerit, ai e di më mirë. Kështu, siç thashë, thjesht përpiqem të bëj punën time dsa më mirë të mundem dhe të dëgjoj atë që ekipi pret nga unë dhe të mësoj çdo ditë e më shumë. Mendoj se mund të bëj shumë më mirë. Falenderoj shumë stafin dhe trajnerin për besimin.
Plot 6 ndeshje në kampionat pa fitore për ekipin e Elbasanit, çfarë mendoni se nuk ka shkuar mirë?
Të gjithë e kuptojmë situatën dhe më besoni se e marrim seriozisht çdo ditë. Mentaliteti është në nivel, edhe përgatitja gjithashtu. Besoj se jemi në rrugën e duhur pasi çdo ndeshje luajmë gjithnjë e më mirë. Nëse mbajmë gjërat e mira, rregullojmë gabimet në stërvitje dhe jemi konsekuent çdo ditë, gjithçka do të jetë mirë. Tani duhet të përqendrohemi në detaje. Futbolli është si maratonë plot ulje-ngritje, asgjë nuk është e gabuar. Kemi lojtarë të rinj në skuadër, të cilët duhet të përshtaten edhe me ekipin, e kuptojmë që nuk ka kohë për këtëë, por futbolli është i tillë. Ne kemi nevojë për pikë.
Nesër ndeshja përballë Partizanit që është pretendent për titull, a mendoni se do ia dilni të riktheheni 3 pikët pikërisht përballë tyre?
Çdo ndeshje ne shkojmë për të fituar dhe vetëm për të fituar, kështu që sigurisht do të vendosim gjithçka në linjën e duhur. Në këtë pikë, nuk mendoj se duhet të fokusohemi kundër kujt do të luajmë, vendit të parë apo të fundit. Gjëja kryesore është të fokusohemi në planin tonë të lojës dhe cilësinë e lojës, të përgatitemi mirë, të rikuperojmë nga ndeshja e kupës dhe të bëjmë punën tonë. Shpresoj që nesër të vijnë të na mbështesin kundër Partizanit, do të tregojmë karakter dhe futboll të pjekur. Faleminderit tifozëve dhe mbështetësve elbasanas që ishin pranë nesh. Ju jeni lojtari i 12-të në fushë, do të thotë shumë për ne.
Çfarë ju pëlqen më shumë nga qyteti i Elbasanit, ushqim, vend apo diçka tjetër?
Elbasani është qytet i mirë. Është një qytet i qetë dhe perfekt për futbollist. Gjithçka që ju nevojitet është këtu. Disa restorante të mira, kafene, palestër, dyqane, njerëzit janë shumë të këndshëm. Çfarë ju duhet më shumë? Mund të fokusohesh lehtësisht tek futbolli.
Cilin nga lojtarët e ekipin keni më shumë shok, cili ju ka qëndruar më afër që prej transferimit tuaj në Shqipëri?
I gjithë ekipi është vërtetë shumë miqësor. Është e lehtë të flasësh me të gjithë dhe të ndash dhomën e zhveshjes. Por shumicën e kohës e kaloi me Dros. Flasim një gjuhë, është mirë të kesh dikë të tillë. Gjithashtu sapo erdha, ai më ndihmoi shumë me gjërat e përditshme, kam një falenderim të madh për të.
E mbyllim me objektivat e tua personale?
Para së gjithash dhe më e rëndësishmja për të ndihmuar ekipin e Elbasanit, në çdo ndeshje. Për të arritur ato objektiva që ne i synojmë si ekip, duhet të marrim pikë tani. Ky është objektivi im! Nëse skuadra luan mirë, gjërat e mira do të vijnë edhe për mua personalisht. Kaq e thjeshtë. /Nikoll RAJTA/