Partizani nis sot rrugëtimin e ri për sezonin 2024/25 të Superiores. Të kuqtë presin në shtëpi një rival direkt për titull si Vllaznia dhe objektivi i vetëm mbetet rikthimi te trofeu. Skuadra vijon të stërvitet nën urdhërat e drejtorit sportiv Arbër Abilaliaj që pas shkarkimit të Orges Shehit, mirëpo drejtuesit vijojnë punën për të gjetur një trajner të ri.
Miroslav Bojko ishte një nga kandidatët më të favoritshëm për të marrë këtë post i cili ka patur një takim ballë për ballë me presidentin Demi dhe pritej të ishte prezent në ndeshjen hapëse. Eksperienca me Zoran Zekic i ka lënë një shije të mirë drejtuesve të Partizani dhe Bojko ishte asistent i tij gjatë kohës kur drejtonin Sheriff Tiraspol.
Por, burime të sigurta pranë ‘Demave’ bëjnë me dije për Newsport.al se negociatat kanë dështuar. Ka qenë vetë kreu i klubit që ka ndërprerë gjithçka pasi nuk është bindur tek 52-vjeçari kroat. Pista kroate vijon të jetë favorite te Partizani, ndjekur nga ajo italiane, ndërsa alternativat vendase janë shpallur ‘Non Grata’.