
Egnatia është ekipi kampion i Shqipërisë për herë të parë në histori. Rrogozhinasit triumfuan në finalen e madhe të “Final Four” ndaj Partizanit me rezultatin minimal 1-0. Sfida u vendos nga një gol i Ibrahimoglu në minutën e 35-të.
Në një atmosferë elektrizuese në “Air Albania” dhe një festë e madhe legjitime e klubit të vogël që po bën hapa kaq të mëdhenj. Titulli kampion është qershia mbi tortë i një sezoni të dominuar nga fillimi deri në fund.
Jo vetëm kaq, por Egnatia pak ditë më parë festoi dhe fitoren e Kupës së Shqipërisë ku mposhti në finale Kukësin po në këtë stadium. Dy trofe brenda një viti kalendarik, një sukses i jashtëzakonshëm në futbollin shqiptar.
Nuk është aspak e lehtë, këtë e tregon edhe fakti që ky sukses nuk përsëritej në asnjë prej 6 sezoneve të fundit. Hera e fundit që një klub shqiptar bëri dopietë ishte në sezonin 2017-2018 me Skënderbeun që linte shenjën e fundit të epokës së tyre të artë.
Egnatia futet në librin e artë të futbollit shqiptar dhe e bën në mënyrën më të mirë të mundshme. Por, për të arritur perfeksionin u mbetet edhe një mision i fundit, Superkupa e Shqipërisë. Duke qenë se janë edhe kampionë edhe fitues të Kupës, në Superkupë do të përballen me finalistin e Kupës, pra Kukësin, sipas rregullores së FSHF.
Ende nuk ka një datë zyrtare për Superkupën, por në dy vitet e fundit është luajtur në dhjetor, megjithatë presim zyrtarizimin e FSHF-së.