
Tirana do të luajë mbrëmjen e kësaj të diele përballë Partizanit derbin e kryeqytetit, ndeshja e cila është e vlefshme për javën e 33-të të “Abissnet Superiore”. Supersfida që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, do të startojë në orën 19:00. Një sfidë që merr vëmendjen jo vetëm të tifozëve apo lojtarëve të ekipeve respektive, por edhe të protagonistëve të së shkuarës.
Një nga lojtarët që ka përjetuar emocionet e derbit është Klodian Duro. Ish-mesfushori i ekipeve të kryeqytetit dhe Kombëtares në një interistë ekskluzive për “Neësport.al”, ka folur për këtë sezon të Superiores, favoritët e derbit dhe lojtarët më të mirë të të dyja ekipeve.
Duro më tej flet për formulën “Final Four”, gjë për të cilën thotë se është zgjedhja e duhur. Gjithashtu, sipas 46-vjeçarit, Egnatia është favoriti kryesor për ta fituar titullin kampion, titull të cilin sipas Duros duhet t’ia dedikojnë të ndjerit Raphael Dwamena.
Me çfarë po merreni pas daljes nga Big Brother Vip?
“Po merrem me atë që më pëlqen më shumë dhe që e kam profesion, futbollin. Shikoj shumë futboll dhe kam ndjekur pothuajse të gjitha ndeshjet e Superiores së Shqipërisë, por edhe kampionatin e Kosovës dhe futbollin në Evropë”.
Ka gjasa ta shohim profesor Duron përsëri në rolin e trajnerit sezonin e ri?
“Patjetër që po mendoj për sezonin e ri. Kam pasur disa kontakte me ekipe dhe njerëz së Superligës së Shqipërisë, por presim dhe të shohim përfundimin e këtij sezoni dhe të përgatitemi për sezonin e ri. Sigurisht një projekt serioz do të më bënte që ta merrja përsipër dhe të punoja për këtë gjë”.
Keni një karrierë të gjatë në Shqipëri dhe jashtë saj, por cila është skuadra shqiptare të cilën e keni akoma në mendje dhe zemër?
“Kam luajtur me shumë ekipe si në Evropë dhe Shqipëri, por në Shqipëri ekipet e mia janë ato 4 ekipe me të cilat kam mbajtur veshur fanellën e tyre. Elbasani ku unë bëra debutimin dhe u rrita, më pas Tirana, Vllaznia dhe Partizani. Sigurisht që të katërta këto ekipe janë ato të cilët kam bërë karrierën dhe po këto ekipe janë në mendjen dhe zemrën time. Por nëse ka një ekip që do doja ta drejtoja, është Tirana. Për vetë faktin që Tirana si klub, histori, fanellë dhe tifozeri ku kam kaluar më gjatë në Shqipëri. Kam mbajtur veshur fanellën e Tiranës për 6 sezone, por mbi të gjitha, Tirana i ka të gjitha mundësitë dhe kushtet që duhet të ketë një ekip i Superiore të dalë kampion, të luajë në raundet e Champions League apo Europa League, por edhe të jetë pjesë e ketyre kompeticioneve”.
Derbi Tirana-Partizani, ju keni qenë protagonist me të dyja fanellat, cila prej tyre "rëndon" më shumë?
“Derbi i cili tërheq apo mbush stadiumin si në asnjë stadium tjetër. Vetë fjala derbi e bën këtë ndeshje më të veçantën e kampionatit shqiptar. Edhe nesër besoj se do të jetë një derbi shumë i fortë dhe i luftuar nga të dyja skuadrat. Unë kam luajtur edhe me Partizanin dhe Tiranën, por pjesën më të madhe të karrierës në Shqipëri e kam kaluar me Tiranën. Jo vetëm që më pëlqen Tirana, por jam edhe tifoz i këtij ekipi. Jam rritur me ëndrrën që të një ditë të isha pjesë e Tiranës”.
Cila nga skuadrat e fiton derbin?
“Është një ndeshje derbi dhe në një ndeshje derbi të 3 rezultatet janë të mundshme. Por mendoj nëse Tirana do të luajë e bindur për ta fituar këtë ndeshje, Tirana mundet dhe duhet ta fitojë këtë derbi”.
Ndonjë lojtar të Tiranës apo Partizanit që mund ta veçonit për cilësitë që mbart?
“Të dyja skuadrat kanë në përbërje lojtarë me shumë cilësi. Tek Partizani pak a shumë lojtarët që dallojnë mbi të tjerët janë Murataj, Cara dhe Rrapaj, ndërsa te Tirana është pjesa e ofensivës që janë Abazaj, Latifi dhe Lushkja. Këto janë ato lojtarë që te ekipet e tyre bëjnë diferencën”.
Kë shihni si favoritin kryesor për titullin kampion dhe pse?
“Vetë formula e këtij kampionati që luhet për herë të parë kështu, pra me Final Four normalisht që nuk lejon që të jetë një skuadër favorite. Vetë kjo formulë nuk ta mundëson që të dallosh një skuadër favorite, pasi do të luhen ndeshjet finale mes 4 ekipeve të para. Por nëse do të veçoja një skuadër për gjithçka që ka dhënë nga java e parë deri më tani, është Egnatia, jo më kot është në vendin e parë. Në Final Four mund të ketë edhe surpriza, çdokush nga këto 4 ekipe mund ta fitojë titullin. Por unë mendoj dhe do dëshiroja shumë që këtë kampionat ta fitonte Egnatia dhe të dilte kampione. Do ishte hera e parë për Egnatian, për qytetin e Rrogozhinës dhe këtë titull t’ia dedikonte të ndjerit, Raphael Dwamenas”.
Pra me kaq sa thatë, jeni dakord me formulën e Final Four?
“Është hera e parë që aplikohet kjo formulë dhe luhet kështu në kampionatin shqiptar. Unë mendoj se iu desh pak kohë ekipeve, por edhe opinioneve të futbollit të ambientoheshin me këtë formulë. Por unë mendoj se është zgjedhja e duhur për të parë një fund kampionati me shumë rivalitet dhe ndeshjet finale me stadiumet plot. Dhe në fund të dalë ajo kampione që e meriton nga këto finale. Ishte risi, por mendoj se do të jetë një fund kampionati i bukur dhe me stadiumet plot. Fundja futbollit luhet për tifozët dhe tifzoët i japin bukurinë më të madhe një ndeshje futbolli. Unë jam i mendimit se Final Four ishte zgjedhja e duhur, por mendoj se duhet të ishte një kampionat me 12 skuadra, me 2 skuadra vajtje-ardhje dhe në fund, në fazën e 3-të, gjashtë skuadrat që janë renditur të parat të luanin për të nxjerrë ekipin që luan në Kupat e Evropës dhe gjashtë të dytat të luanin për të vendosur se cila skuadra do të qëndronte në Kategorinë Superiore dhe cila do të binte.
Formula e këtij kampionati do t’i mbushë shkallët e stadiumit plot dhe klubet mund të arkëtojnë edhe të ardhura. Por mendoj se vetë klubet e Superiores duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim për marketingun, për të thithur sa më shumë tifozë, gjatë vitit dhe gjatë çdo ndeshje. Është detyrë e tyre për të sjellë tifozët në stadium dhe mbi të gjitha për menanxhimin dhe shitjen e lojtarëve. Unë jam për futjen e lojtarëve të rinj, sa më shumë të aktivizohen. Nga kjo rritje e lojtarëve vijnë edhe të ardhura në klub, prandaj duhen njerëz të aftë në klubet e Superiores. Po jap një shembull, nëse Tirana luan në grupe apo raundet e Champions apo Europa League, unë mendoj se duke patur kundërshtarë të fortë siç kishte Besiktasin ndodhin shitjet. Nëse Muçi u shit nga Tirana te Legia dhe më pas te Besiktas për një shifër record prej 10 milionë eurosh, unë mendoj se po i njëjti Muç apo një Muçi tjetër mund të shitej direkt nga Tirana te Besiktasi për këto shifra. Tirana do të fitonte shifra rekord dhe pastaj do i investonte më mirë ato në funksion të klubit”. /Nikoll Rajta/