
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka vënë në pranga një punonjës të Gardës së Republikës, inspektorin E.I., i dyshuar për disa vepra penale të lidhura me dhunën gjatë një ndeshjeje futbolli.
Sipas AMP, inspektori akuzohet për “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive”. Arrestimi i tij u bë pas një hetimi të përbashkët me Komisariatin e Policisë Nr. 4, në lidhje me incidentet e dhunshme të ndodhura më 9 shkurt 2025 në stadium.
Gjatë përplasjes mes tifozëve në këtë ndeshje, disa persona pësuan dëmtime fizike, përfshirë një punonjës sigurie dhe një efektiv policie. Autoritetet po vijojnë hetimet për të identifikuar dhe ndëshkuar të gjithë përgjegjësit e dhunës në stadiume.
Njoftimi i AMP-së:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar punonjësin e Gardës Inspektor E.I., i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive”.
Arrestimi u bë i mundur pas veprimeve hetimore të kryera në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.4 në lidhje me ngjarjen e datës 09/02/2025, ku gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit, ka patur përplasje të dhunshme mes tifozëve, të cilat kanë sjellë si pasojë dëmtime fizike të disa personave në stadium, përfshirë edhe një punonjës të sigurisë së stadiumit edhe një punonjësi policie.