
Jemi vetëm 4 ditë para startit të Superiores, me ekipet që po iu japin dorën e fundit përgatitjeve për sezonin e ri. Por jo çdo gjë po shkon sipas planeve të stafeve teknike.
Te Partizani kanë marrë lajmin “tronditës” vetëm pak ditë para startit. Kjo pasi afrimi më i bujshëm i tyre në merkato, Amos Nondi është dëmtuar.
Mesfushori ka marrë një dëmtim në gju, gjë e cila do ta mbajë larg fushave për disa javë, ndoshta e muaj. Kjo tashmë shton “hallet” e Mladen Milinkovic, pasi detyron të kuqtë të hyjnë sërish në merkato për të kërkuar një tjetër futbollist për ta zëvendësuar.
Nondi me shumë gjasa do të duhet t’i nënshtrohet një operacioni dhe për diçka të tillë siç dihet koha e rikuperimit është e madhe. 26-vjeçari siç duket është i pafat në aventurën e tij në kryeqytet dhe për të luajtur me Partizanit do t’i duhet muaj të presë.