
Ekipet shqiptare po përfitojnë nga pauza që bëhet për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve, për t’u “ndezur” për rinisjen e sezonit. Megjithatë, jo të gjithë do të pushojnë pasi po organizojnë edhe ndeshje miqësore.
Është Kukësi që mbrëmjen e sotme ka bërë të ditur se këtë të shtunë do të luajë përballë Dinamos në transfertë një sfidë miqësore. Sfida që do të zhvillohet më 22 mars në kompleksin “Dinamo City” në Arbanë, do të nisë në orën 11:30.
Një ndeshje që do t’u vlejë të dy ekipeve, pasi mund të jetë një test mjaft i mirë para se të rinisin misionin final për të arritur objektivat. Kujtojmë se këtë sezon Kukësi mban vendin e 10-të në Kategorinë e Parë, duke luftuar ende për mbijetesë.
Në krahun tjetër, Dinamo po bën krejtësisht të kundërtën në Superiore. “Djemtë” e Ilir Dajës mbajnë vendin e dytë me 51 pikë, teksa janë një nga pretendentët për titullin kampion.
