Lajmi për vdekjen e futbollistit të akademisë së Shënkollit, Klajvert Çuni tronditi jo vetëm klubin lezhjan, por gjithë komunitetin e futbollit shqiptar.
21-vjeçari ra nga tarraca e biznesit të tij në fshatin Torovicë të Lezhës dhe pavarësisht kujdesit të mjekëve në Spitalin e Traumës, nuk ia doli të mbijetonte plagëve të marra.
Ditën e sotme, trupi i të ndjerit është përcjellur për në banesën e fundit. Në këtë ditë mjaft të trishtë, nuk kanë munguar as fjalët nga trajnerët e tij që futbollisti ka pasur gjatë karrierës, por edhe njerëz të futbollit kanë folur për "ReportTV".
“Është rritur në akademinë tonë (Shënkollit) që në moshën 7-vjeçare. S’ka pasur kurrë humbje. Humbja e vetme e tij ishte ky rast fataliteti. Në komunitetin tonë sportiv, Kaljveri e kishte pseudonimin ‘ujku’, por iu dorëzua fatit të keq”, është shprehur trajneri Hasan Hoxha.
Gjithashtu, për këtë fatkeqësi ka folur edhe trajneri Klajdi Reçi.
“Edhe kur unë si trajner kisha dobësi, ai më jepte zemër. Klajveri ishte djalë i fortë, kapiten i vërtetë”, ka thënë Reçi.
“Na ka ikur një copë nga trupi e zemra jonë, fjalët janë të vështira. Mosha e tij, dhimbja e madhe e prindërve, dhimbja jonë. Zoti deshi ta merrte pranë vetës”, thotë me lot në sy trajneri Dritan Smajli.
Por nuk ka munguar as presidenti i Akademisë së Shënkollit, Kristjan Gjidodaj, i cili thotë se kjo është një humbje e madhe për futbollin lezhjan.
“Kishte karakter lideri dhe jo rastësisht ishte kapiten në të gjitha grupmoshat. Nuk gjej dot fjalë për të shprehur dhimbjen e madhe, jam i pikëlluar”, ka thënë Gjidodaj.
Lotët dhe dhimbja e madhe ishin ato ç’ka e përcollën 21-vjeçarin për në banesën e fundit këtë të shtunë, teksa Klajverti ishte djali i vetëm i familjes Çuni. Një futbollist luftarak, që do të mbahet mend gjatë për kontributin në futbollin lezhjan.