Stadiumi ‘Air Albania’ do të jetë vendi ku do të vendosen fatet e këtij sezoni në Superiore. Impianti modern i kryeqytetit është ndërtuar për të mbajtur ndeshje me peshë duke filluar nga Kombëtarja e deri te futbolli vendas.
Ky stadium do të nis një ‘tur force’ që fillon nga data 8 e mbaron më 26 maj. Plot 7 ndeshje do të luhen në vetëm 18 ditë duke përqëndruar të gjithë vëmendjen këtu. Mirëpo, shqetësues është fakti se a do të jetë në gjendje të ruhet terreni në kushte të mira.
Nis me një superndeshje si Klasikja e Shqipërisë, Tirana – Vllaznia pasnesër në orën 16:00 në raundin e parafundit të Superiores. Tjetra do të jetë më 11, raundi i fundit, ku Dinamo pret Egnatian. Kjo ndeshje nuk është konfirmuar ende dhe ekziston mundësia që të spostohet në një tjetër stadium, ndoshta në Elbasan.
Me mbylljen e kampionatit të rregullt, rradha do të jetë për finalen e Kupës së Shqipërisë ku 3 ditë me vonë, më 14 maj, Kukësi dhe Egnatia luajnë për trofeun. Një ndeshje që mund të shkojë edhe në 120 minuta.
Më pas i vjen rradha Final Four të shumëpritur, formati i ri do të vihet zyrtarisht në zbatim dhe do të bëjë debutimin më 17 maj në gjysmëfinalen e parë, ndërsa e dyta 2 ditë më vonë, më 19 maj. Më 24 maj do të luhet finalja e vogël, ndërsa më 26 do të jetë dita ku do të kurorëzohet kampioni i sezonit 2023-2024 të Superiores.
7 ndeshje spektakolare për t’u parë e shijuar, por të gjithë shpresojmë që terreni të mos pësojë dëmtime të shumta për të patur kushtet sa më të mira për finalen e madhe. Plot 630 minuta drithëruese që t’i ofron një impiant modern si ‘Air Albania’. Në fund të fundit, u krijua për të qenë kryefjalë e futbollit shqiptar.