Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

VENDI

Investimi në fushën e Krujës drejt përfundimit, FSHF ndjek nga afër punimet

Shkruar nga NEWSPORT
Investimi në fushën e Krujës drejt përfundimit, FSHF ndjek
Investimet në fushën e Krujës

Po merr formë investimi i Federatës Shqiptare të Futbollit në bashkëpunim me Bashkinë Krujë për rikonstruksionin e fushës së vjetër të sportit në qytetin e Krujës. Kanë përfunduar me sukses sistemi i drenazhimit dhe bazamenti i fushës, ndërsa shumë shpejt do të nisin punimet për shtrimin e tapetit artificial.

Federata Shqiptare e Futbollit zhvilloi një inspektim të punimeve në terren. Pamela Ndocaj, specialiste e Departamentit të Projekteve, ishte e pranishme së bashku me Yllka Sheta Kukalajn, Nënkryetare e Bashkisë Krujë, ku u njohën nga afër me ecurinë e projektit dhe dhanë nga një prononcim të shkurtër për fshf.org.

FSHF është bashkëfinancuese me Bashkinë Krujë në këtë projekt dhe, Pamela Ndocaj, tha se ky investim ka rëndësi të veçantë pasi rikthen identitetin sportiv të fushës së vjetër të qytetit.

“Ashtu si në çdo investim tjetër në infrastrukturën sportive, edhe ky në qytetin e Krujës mbart një rëndësi të veçantë për disa arsye, por mbi të gjitha për faktin që më në fund fushës së vjetër të qytetit të Krujës po i rikthehet identiteti.

Dhe pse jo ky investim i përbashkët mes FSHF dhe Bashkisë Krujë do të jetë fillimi i bashkëpunimeve të tjerë për përmirësimin e infrastrukturës sportive në këtë qytet”, – tha Pamela Ndocaj.

Nënkryetarja e Bashkisë Krujë, Yllka Sheta Kukalaj, theksoi se falë bashkëpunimit me FSHF-në fusha do të rikthehet në funksion, duke i shërbyer jo vetëm sportit, por edhe gjallërimit të jetës komunitare dhe aktiviteteve të fëmijëve që duan të ndjekin futbollin

“Sot jemi këtu për të ndarë një lajm të mirë. Jemi në fushën e nostalgjisë, në fushën ku dikur luhej, ndërkohë që ka shumë kohë që është lënë në mëshirë të fatit.

Tani me një bashkëpunim të frytshëm bashkë me Federatën Shqiptare të Futbollit po i kthehet jeta, do të kthehet në një fushë stërvitore për ekipin e Kastriotit që ka shumë vite që as seancat stërvitore nuk i kryen në qytetin e tij.

Ky është një investim që i shërben jo vetëm sportit, por edhe gjallërimit të jetës komunitare në Krujë, i shërben edhe fëmijëve që kanë dëshirë të vazhdojnë futbollin dhe skuadrës e cila do të fillojë stërvitjen në momentin e përfundimit këtu”, – tha Yllka Sheta Kukalaj, Nënkryetare e Bashkisë Krujë.

Poll

Lexo gjithashtu