Elbasani iu dorëzua sot titulli kampion i Kategorisë së Parë. Si klubi verdheblu, ashtu edhe ekipi i Bylisit do të jenë pjesë e Superiores duke nisur nga sezoni i ardhshëm.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka iu ka uruar suksese të dyja klubeve me anë të një postimi në profilin e tij zyrtar. Krah fotove kur dorëzon trofeun e kampionit te Elbasani, presidenti Duka vlerëson punën e bërë nga drejtuesit e të dy klubeve.
“Urime AF Elbasani, urime Bylisi!
Uroj përzemërisht AF Elbasanin për titullin kampion në Kategorinë e Parë, si dhe Bylisin për ecurinë e bërë në këtë kategori dhe rikthimin në elitën e futbollit shqiptar.
Puna e bërë nga drejtuesit, stafet dhe futbollistët u shpërblye dhe besoj që është një motivim për ta që të përmirësohen për sezonin e ri futbollistik dhe t’i japin kampionatit tonë edhe më shumë cilësi.
Suksese të dy klubeve!”, shkruan Armand Duka.