Armando Broja është pikëpyetja e madhe për këtë kampionat “EURO 2024”, ku Shqipëria do të marrë pjesë në një grup “zjarri”. Sulmuesi kuqezi nuk ka pasur një formë të mirë dhe as te Fulham nuk po mundet të marrë minuta. Në këto kushte, nuk dihet ende nëse Sylvinho do të ketë një ftesë për të në kompeticionin që do të zhvillohet në Gjermani.
Sot, babai i sulmuesit Xhevahir Broja është shfaqur me të atin e Elseid Hysajt, Gëzim Hysa bashkë me një mik të tyrin. Kapiteni padyshim që ka “peshë” në Kombëtare, megjithëse në këto kualifikuese, Sylvinho ia besoi shiritin Berat Gjimshitit. Ndoshta një fjalë pozitive nga mbrojtësi i Lazios mund të ndikojë për mirë te trajneri i kombëtares shqiptare.
Megjithatë ende asgjë s’është e sigurtë dhe gjithmonë trajneri Sylvinho ka deklaruar se askush nuk e ka vendin e sigurtë në përfaqësuesen tonë të futbollit. Pritet me interes të shihet se çdo të ndodhë, ndërsa sot dy baballarët e lojtarëve të kombëtares sonë kanë zgjedhur të drekojnë së bashku.