
Luhen sot ndeshjet e kthimit në Europa League , ku marin pjesë tashmë vetëm Kukësi dhe Teuta, pasi Partizani ka kaluar në Champions, ku zëvendëson Skënderbeun. Kukësi luan në Mal të Zi me Rudarin dhe duhet të fitojë ose të barazojë me më shumë se dy gola për të kaluar më tej. Veriorët kanë shanse, pasi e kanë treguar edhe më parë se dinë të bëjnë mirë në transfertë, ndërsa Teuta që luan në Kazakistan, ka një mision shumë të vështirë, pasi e ka humbur ndeshjen e parë në shtëpi me Almatin. Duhet një mrekulli për durrsakët.
FORMACIONET – Kukësi ka bërë ndryshime dhe në Nikshiq pritet të jetë më sulmues sot. Ai do të zbresë në fushë me këtë 11-ësh: Koliçi në portë, Hallaçi, Malota, Shameti dhe Mici në mbrojtje, në mesfushë Dvornekoviç, Dema dhe Musolli, ndërsa në sulm Emini dhe Rangel do të jenë pas Lukasit. Duket qartë se Kukësi kërkon vetëm fitoren. Kurse Teuta mendohet të zbresë në fushë me Moçkën në portë, Kotobellin, R.Hoxhën, Shkëllën dhe E.Hoxhën në mbrojtje, me Lenën, Hodon, Hilën, Çyrbjen dhe Mustën në mesfushë, kurse në sulm do të jetë i vetëm Magani.