
Ndërkohë që pjesa më e madhe e skuadrave të Superligës u stërvit në Turqi, Laçi ka vendosur që të mos largohet nga vendi, por të zhvillojë fazën përgatitore në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamzë.
Në një intervistë për "Supersport", ka folur trajneri i Laçit, Bledar Sinella, i cili ka vlerësuar si të mjaftueshme fazën përgatitore që ekipi i tij ka zhvilluar në Shqipëri, duke shtuar më tej, se edhe Shqipëria ofron kushtet optimale për zhvillimin e fazës përgatitore.
"Përgatitjet kanë ecur mirë, jemi stërvitur rregullisht në këtë periudhë në kushtet shumë të mira, çdo gjë për ne është “ok”. Tani presim startin e pjesës së dytë të sezonit".
Lidhur merkaton, Sinella ka thënë se Laçi ka bërë lëvizje të shumta, duke mos i konsideruar afrime, por thjesht rikthime në shtëpi.
"Është afruar Vucaj, Rajoviç, Sefgjini, që në fakt kthehen në shtëpi, por edhe Januzi dhe Nika e njohin shumë mirë kampionatin shqiptar".
Trajneri Sinella ka folur dhe për pjesën e mbetur të kampionatit. Duke parë pozicionin që ka në tabelën e renditjes është një nga kandidatet për të rënë nga kategoria, por ai nuk mendon kështu.
"Nuk e diskutojmë fitoren me Korabin, madje sikurse e kam thënë më parë as qëndrimin në superiore".