
Vendi i fundit në tabelën e klasifikimit dhe më shumë largime sesa afrime, merkatoja e Janarit ka sjellë shumë ndryshime te Korabi pasi nga skuadra dibrane janë larguar shumë futbollistë ndërsa ekipi është përforcuar vetëm me mesfushorin Besmir Arifaj dhe mbrojtësin Veton Shabani. Por pavarësisht gjithckaje, trajneri Gerd Haxhiu mbetet optimist dhe beson te mbijetesa e Korabit. 44-vjecari nga Vlora i bëri një analizë përgatitjeve të skuadrës gjatë kësaj periudhe, duke nënvizuar se pavarësisht largimeve situata te Korabi është e mirë.
"Kanë qenë largime të paralajmëruara. Që në ditën e parë që erdha në skuadrën e Korabit iu kam thënë lojtarëve se: askush nuk e ka vendin e sigurt. Kush e sheh se po i lëkundet pozita, le të sistemohet në një skuadër tjetër
Nexhipi? Dihen vlerat e tij tashmë, por unë do të preferoja një tip tjetër lojtari, më grintoz. Kjo duke ditur pozitat tona në renditje.
Nexhipi luan shumë mirë pas dy sulmuesve, pra trekuartist. Por ne nuk e kemi luksin për një profil të tillë futbollisti dhe unë nuk mund t'i garantoja shumë minuta në dispozicion.
Për sa i përket merkatos kemi mbyllur marrëveshjen me një portier të Superligës. Jemi në bisedime me dy mesfushorë po nga ekipet e Superligës.
Gjithashtu jemi në tratativa me Ardit Hoxhajn për të blerë kartonin e tij nga Skënderbeu. Me shumë gjasa është drejt mbylljes me sukses kjo marrëveshje.
Mbijetesa? Jam i bindur se do qëndrojmë. Në fazën e tretë do të hedhim një hap të rëndësishëm drejt mbijetesës dhe në fazën e katërt do të konfirmohemi në mesin e tabelës. Të bindur për këtë janë edhe drejtuesit e klubit, ndërsa nuk na mungojnë financat", shprehet trajneri i Korabit, Gerd Haxhiu për Supersport.