Partizani ka reaguar lidhur me incidenti e ndodhur ditën e sotme para sfidës mes Kastrioti dhe Skënderbeut ku janë goditur lojtarët korçarë. Një prej lojtarëve krutan, Neziri në intervistë për "SuperSport" deklaroi se nuk ishin tifozët e Kastriotit ata që sulmuan lojtarët e Skënderbeut, por ishin tifoz të Partizanit. Në lidhje me këtë deklaratë ka reaguar dhe skuadra e Partizanit. Klubi kryeqytetas në reagimin e tyre deklarojnë që tifozët e tyre nuk kanë krijuar asnjëherë incidente në asnjë stadium dhe nuk kanë goditur lojtarë apo zyrtarë ndeshje.
Reagimi i Partizanit
Klubi merr shkas të reagojë në lidhje me informacionet apo deklaratat live të përcjella në media për incidentin e ndodhur përpara takimit Kastrioti - Skënderbeu i vlefshëm për javën e 20.
Është e vërtetë që Klubi i Futbollit Partizani gëzon simpatizantë dhe mbështetës në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Por, është po aq e vërtetë se përgjatë gjithë ecurisë së këtij kampionati (dhe jo vetëm), tifozeria jonë është tifozeria më korrekte në stadiume. Për asnjë moment tifozeria e Partizanit nuk ka shfaqur akte dhune as ndaj lojtarëve të ekipeve rivale as ndaj zyrtarëve te ndeshjes, përfshirë edhe arbitrat dhe as te ketë qenë iniciatore e dhunës ndaj çdo tifozerive kundërshtare dhe në çdo stadium te vendit. Nuk e kuptojmë sesi lojtari Kastriotit Neziri arriti të identifikojë agresorët e sulmit ndaj lojtarëve të Skënderbeut, të cilët në trasmetim direkt i ka cilësuar si pjestar të tifozerisë së Partizanit, kur ndërkohë skuadra Kastriotit, siç edhe e deklaroi trajneri Devolli, në ato momente ka qenë duke zhvilluar analizën në dhomat e zhveshjes në prani të të gjithë pjesëtarëve te Kastriotit. Klubi dënon incidentin e ndodhur në Fushë Krujë dhe thekson se ngjarje të tilla nuk duhet të cënojnë aktorët e lojës së futbollit.