Shefi i klubit të Studentit, Blendi Nallbani ka dhënë një intervistë për RTSH Sport ku ka folur dhe analizuar gjendjen e ekipit kryeqytetas.
Ai është bërë mbështetës i Farka Volej, ku veç futbollit, bën apel t'i jepet një "dorë e mirë" edhe sporteve të tjera në vend. Në fjalën e tij, ish-portieri i njohur deklaroi:
"Studenti është një klub me emër. Një klub që i ka dhënë tonin sporteve, jo vetëm futbollit, por dhe lojërave me dorë. Një klub me histori të madhe dhe kështu shpresojmë të ndodh dhe këtë vit.
Përpara 2-3 muajsh kemi ngritur edhe ekipin e çiklizmit. Duke qenë se Dinamo u prish, një legjendë e sportit shqiptar, menduam që t'i mbajmë ato djem dhe t'i japim vlerë çiklizmit. Jemi munduar që nëpërmjet mbështetjes së Bashkisë së Tiranë, këtu gjej rastin të falënderoj kryetari e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, që t'i mbajmë të gjitha sportet.
Studenti dhe Partizani, sepse Tirana dihet që prej vitesh mbështetet nga Bashkia e Tiranës, kanë kaluar pjesë e Bashkisë. Nëpërmjet atij buxheti mundohemi t'i mbajmë të gjitha sportet.
Volejbolli? Studenti, Partizanit dhe Tiranës i kanë mbetur vetëm emra. Tanimë duhen parë dhe skuadra si Farka Voleji, ndërsa bëhet një punë e mirë nga trajneri Dritan Bardhi. Ka lojtarë si Bega e Aga, apo Qepa, që janë të perspektivës dhe është turp që diskutohet për trajtimet ushqimore. Unë kam biseduar dhe me Kryetarin e Bashkisë, Veliaj, apo dhe Federatën Shqiptare të Volejbollit, që kanë premtuar mbështetje.
Madje i bëj thirrje dhe shefit të klubit shumësportësh Tirana, Pirro Kolekës, apo dhe të Partizanit, Shkëlqim Muçës, që ta ndihmojnë këtë skuadër, që i ka dhënë tonin volejbollit shqiptar. Mos harroni që më 2016-ën, në Cev Cup, përballë turqve të Zirat Bankasit Ankara kam marrë lojtarë si Rejdi Koçi dhe Amarildo Deliu, që sot luajnë jashtë. Ndaj Farka Volej duhet mbështetur", ka përfunduar ai.
