Akademia e Luftëtarit i është drejtuar me një letër të hapur ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Gjirokastritët kërkojnë që të lejohet rifillimi i futbollit, duke i kujtuar edhe deklaratën e mjekut infeksionist, Pëllumb Pipero. Theksohet se do të zbatohen të gjitha masat e nevojshme dhe tashmë është momenti i duhur që futbolli të rifillojë.
“Në vëmendje të Ministres së Shëndetësisë, Znj. Manastirliu!
E nderuar Znj. Manastirliu! Ne si përfaqësues të klubeve të futbollit, ndjejmë të arsyeshme të japim një mendim lidhur me lejimin e aktiviteteve sportive duke u bazuar në të dhënat e publikuara nga ana juaj çdo ditë lidhur me situatën në vend por edhe tek argumentet që japin specialistët e fushës siç është Dr. Pëllumb Pipero.
Rikthimi në ritmet e jetës normale duket se do të jetë larg por drita në fund të tunelit tashmë po duket qartë. E më të qartë e bën vetë Ministria kur deklaron se më 18 Maj do të lejojë rihapjen e bareve dhe restoranteve (në ambjente të hapura). Këtë dritë e shohim dhe ne aktorët e futbollit gjithashtu.
Mbrëmë në një nga televizionet kombëtare Dr. Pipero dha argumenta të qarta se probabiliteti i përhapjes së virusit gjatë një loje futbolli është shumë i ulët duke thënë shprehimisht:
“Nëse do më pyesin mua si specialist, futbolli është i pari që hapet. Risku i infektimit është i paktë. Për të marrë virusin duhet të qëndrosh në kontakt të vazhdueshëm për 15 minuta dhe në futboll një gjë të tillë, dinamika e lojës nuk e lejon”.
Në këto kushte, ne presim një tjetër vendim nga instancat e vendit për lejimin e aktiviteteve sportive e cila do i shërbente fëmijëve që tashmë po vuajnë pasojat psiko-sociale të karantinimit, futbollistëve profesionistë që presin klubet të marrin pagat e tyre duke ushtruar profesionin si dhe shmangies së fenomenit të shpalljes së falimentit nga ana e klubeve që e kanë të pamundur të vazhdojnë në këto kushte.
Ne e mirëpresim këtë vendim duke pranuar të gjitha kushtëzimet e nevojshme që mund ta shoqërojnë atë, të tilla si kryerja e seancave stërvitore në ambjente të hapura; planifikimi i këtyre seancave me grupe të vogla lojtarësh; dezinfektimi i vazhdueshëm i ambjenteve të brëndshme e të tjera masa të nevojshme.
Mbetemi në pritje me shpresën se sa më sipër do të jetë në vëmendjen tuaj!
AKADEMIA LUFTETARI”.